close
Top LajmeVendi

LAVROV: SHBA DHE BE NDËRHYJNË NË PUNËT E BRENDSHME TË MAQEDONISË

10-lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, për “ndërhyrje të vazhdueshme në punët e brendshme të Maqedonisë”.

Në një intervistë për të përditshmen greke, “Gazeta e Redaktorëve”, Lavrov thotë se ndryshimet kushtetuese u arrit të votoheshin nga parlamenti i Maqedonisë “me shantazhe dhe blerje deputetësh”.

“Ka kulmuar ndërhyrja e vazhdueshme e SHBA-së dhe e BE-së në punët e brendshme të Maqedonisë. Çdo ditë qytetarëve u bëhej thirrje që të votonin në favor të ‘Marrëveshjes së Prespës’ në referendumin e 30 shtatorit. Referendumi, siç dihet, dështoi. Në këtë situatë, më 19 tetor në parlament, me shantazhe dhe blerje deputetësh u imponuan ndryshimet kushtetuese, me implikimin e drejtpërdrejtë të diplomatëve të huaj, përfshirë edhe ambasadorin amerikan në Shkup. Tashmë po bëhen përpjekje të ethshme që procesi të finalizohet në fillim të 2019-s”, thotë Lavrov, në intervistën që publikohet në gazetën greke ditën që kryeministri Tsipras fillon një vizitë zyrtare në Moskë.

“Është e qartë se një qëndrim i tillë i shërben vetëm qëllimit të Uashingtonit për një anëtarësim të nxituar të Shkupit në NATO. Spekulimet se miratimi i ‘Marrëveshjes së Prespës’ është gjoja i nevojshëm për të përshpejtuar integrimin europian, nuk i rezistojnë asnjë kritike. Konsultimet me Brukselin për këtë çështje mund të zgjasin disa dekada, siç ka treguar përvoja”, vë në dukje Lavrov. /Robert Goro/

 

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia