close
Sport

LIDERËT BOTËRORË ARRIJNË MARRËVESHJE TË RE PËR KLIMËN

cop26-titelbild

Në samitin e Kombeve të Bashkuara për klimën që u mbajt në Glasgou të Skocisë është arritur një marrëveshje që synon të shmangë ndryshimet e rrezikshme klimatike.

Pakti i Glasgout për Klimën është marrëveshja e parë klimatike që planifikon në mënyrë eksplicite reduktimin e qymyrit.

Marrëveshja e grupeve negociatore nga rreth 200 vende të botës, gjithashtu parasheh shkurtime urgjente të emetimeve të gazrave. Vendet dhe organizatat kanë premtuar më shumë para për vendet në zhvillim në mënyrë që ato të përshtaten me ndikimet klimatike.

Por, premtimet nuk shkojnë aq larg sa të kufizojnë rritjen e temperaturës mesatare të botës në 1.5 gradë Celsius.

Por, marrëveshja globale e klimës nuk arriti atë që shkencëtarët thonë se është e nevojshme për të frenuar ndryshimet e rrezikshme klimatike globale. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha pas arritjes së marrëveshjes se bota është ende në buzë “katastrofës”.

“Planeti ynë i brishtë është i varur nga një fije”, tha Guterres në një deklaratë që përshëndeti përparimin në samitin e Glasgout, por theksoi se “nuk mjafton”.

Në draftet e para të marrëveshjes ishte përfshirë heqja e qymyrit mirëpo për shkak të kundërshtimit të Indisë ky përkufizim u ndryshua me heqjen graduale të qymyrit.

Ministri i klimës së Indisë, Bhupender Yadav pyeti se si vendet në zhvillim mund të premtojnë se do të heqin gradualisht subvencionet e qymyrit dhe karburanteve fosile, kur ata “duhet të merren ende me agjendat e tyre të zhvillimit dhe çrrënjosjen e varfërisë”.

Ndërkohë, Britania e Madhe si organizatore e konferencës tha se i vinte “thellësisht keq” për mënyrën sesi tubimi përfundoi me ndryshimet e minutës së fundit të tekstit që kërkonte heqjen e përdorimit të qymyrit.

Shkencëtarët thonë se për të shmangur katastrofat katastrofike klimatike, deri në vitin 2030 nevojiten shkurtime shumë më të thella të emetimeve sesa ato të parashikuara në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015.

Shkencëtarët thonë se kufizimi i rritjes së temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius do të ndihmojë njerëzimin të shmangë ndikimet më të këqija klimatike.

Në Paris në vitin 2015, liderët botërorë u zotuan të parandalojnë ngrohjen globale në botë në 1.5 gradë Celsius përmes reduktimeve të emetimeve të gazrave serrë./REL/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia