close
Top LajmeVendi

LUPA E ANTIKORRUPSIONIT DREJT GJYKATËSVE 

Antikorrupsioni kërkon kyçjen e institucioneve tjera rreth pasurisë së 600 gjykatësve


Një ditë pas kërkesës së kryeministrit, Komisioni shtetëror për luftë kundër korrupsionit e pranoi detyrën, ta hetojë prejardhjen e pasurisë dhe ndikimin e gjykatësve. Duke pasur parasysh potencialin e kufizuar kadrovik, Antikorrupsioni kërkon që në proces të kyçen të gjitha institucionet shtetërore relevante. Kryeministri Zoran Zaev dje apeloi.

Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit menjëherë e pranoi detyrën që e mori personalisht nga kryeministri Zoran Zaev – të merret me hetimin e pasurisë dhe të ndikimit të gjykatësve dhe të prokurorëve publikë, duke e shtuar në Planin e përgatitur vjetor për vitin e ardhshëm. Sistemi gjyqësor është vlerësuar si shtyllë me rrezik të lartë nga ndikimet korruptive dhe për këtë shkak nën lupë do të jenë të dhënat e pasurisë në listat anketuese të gjykatësve, prokurorëve dhe familjeve të tyre, pasurimi eventual që nuk është në proporcion me pagën, si dhe anëtarësimi i tyre në bordet udhëheqëse dhe mbikëqyrëse, shoqata, fondacione dhe lobi grupe të tjera. Për këtë operacion anëtarëve të antikorrupsionit do t’u duhet ndihmë.

“Hetimi i gjendjes së pasurisë është detyrë e re e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, për zbatimin e së cilës është i nevojshëm përforcimi i kushteve ekzistuese njerëzore dhe materialo – teknike si dhe kyçja e organeve tjera hetuese. Duke pasur parasysh gatishmërinë e shprehur të kryeministrit për vënien në dispozicion të të gjitha kapaciteteve të pushtetit ekzekutiv për zbatimin efikas të procedurave, Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit konsideron se është i domosdoshëm koordinimi i të gjitha institucioneve kompetente.” –shprehen nga Antikorrupsioni.

Si dhe a do të arrihet ky koordinim në mes instituconeve, për momentin nuk mund të parashikohet, kryesisht për shkak të faktit që strukturat e njejta deri tani e kanë shikuar përmes gishtërinjve joefikasitetin e sistemit gjyqësor dhe tërheqjen e lëndëve gjyqësore deri në vjetërsimin e disa rasteve, që ka sjellur humbjen e besimit të qytetarëve. Kryeministri Zoran Zaev dje sistemin gjyqësor e quajti “kështjella e fundit e shtetit të robëruar.”

“Sistemin gjyqësor duhet ta pastrojmë nga gjykatësit dhe prokurorët e pandershëm, që të munden të ndershmit dhe profesionistët pa pengesa ta sigurojnë drejtësinë që e presin qytetarët… Për këtë arsye i bëjmë thirrje Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit ta fillojë procedurën për verifikim të pasurisë së gjykatësve dhe prokurorëve menjëherë.” –deklaroi Kryeministri i vendit Zoran Zaev.

Zaev i bëri thirrje Këshillit gjyqësor dhe Këshillit të prokurorëve të merren me profesionalizmin e kolegëve të tyre, ndërsa paralajmëroi edhe verifikimin e arsyetimeve të analizave mjekësore të përdorura shpesh si justifikim të mungesës në sallat e gjyqit, ose lëshim nga paraburgimi ose dënimi me burg, pas çka ndodhën disa ikje nga  drejtësia.

Në këtë përpjekje për “ballafaqim të sistemit gjyqësor me opinionin” siç e quajti Zaev, ai paralajmëroi edhe kërkimin e ndihmës edhe nga Bashkimi Evropian – përkatësisht monitorim të rasteve gjyqësore të profilit të lartë dhe publikimin e pamjeve nga ajo që ndodh në sallat e gjyqit. Sistemi gjyqësor në Maqedoni shpesh kritikohet në raportet nga Brukseli, ndërsa jozyrtarisht përmendet edhe si një nga arsyet për “veton” franceze për negociatat aderuese të vendit për anëtarësim në BE. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia