close
Rajoni

LVV NUK DO T’I PËRGJIGJET KËRKESËS SË PRESIDENTIT THAÇI

Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet kërkesës së presidentit për caktim të mandatarit të ri. Madje kjio parti deklaratat e presidentit për krijimin e qeverisë së unitetit i ka quajtur jokushtetuese dhe të pasuksesshme. Në një përgjigjeje me shkrim për TV Klan zëdhënësi i LVV-së Arlind Manxhuka ka shkruar se janë të përkushtuar me menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

Deklaratat e Presidentit Thaçi, janë sinjale për të nisur përpjekjet e tij jo kushtetuese e të pasuksesshme. Sipas Kushtetutës së Kosovës, referuar nenit 82 ku flitet për shpërndarjen e Kuvendit, pika 2 e tij thekson që Presidenti mund të shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit, më tutje ne kemi tashmë dy dekrete atë të vitit 2010 dhe atë të vitit 2017, ku të dy presidentët në vitet e cekura, pas votimit të suksesshëm për mosbesimit ndaj Qeverisë, kanë shpërndarë Kuvendin, tashmë ka precedent, dhe është shndërruar në normë. Prandaj ne presim që ta tejkalojmë këtë situatë dhe pas kësaj, Presidenti të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

Presidenti Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se të hënën do  nis konsultimet me partitë politike për krijimin e një qeverie gjithpërfshirëse në mënyrë që të mos shpall zgjedhje të jashtëzakonshme.

Thaçi madje për këtë cështje ka biseduar edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë ndërsa ka përmendur faktin se të gjitha veprimet do ti bëjë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Qeveria Kurti është shkarkuar të mërkurën nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës me kërkesë të partnerit të koalicionit LDK. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia