close
Screenshot_6

Në konferencën e realizuar në ‘Kodrën e Diellit’ nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë dhe platforma ‘Miqtë e Sharrit’ ku të pranishëm ishin donatorë nga vendi dhe të huaj u fol për mbrojtjen e Malit Sharr dhe procesin për shpalljen e të njëjtit në Park Nacional.

Deri në vitin 2020 pritet që edhe në Maqedoni të kemi një zonë të mbrojtur. Këtë e bëri të ditur Frosina Pandurska Dramiqanin nga Shoqata ekologjike e Maqedonisë dhe platforma ‘Miqtë e Sharrit’, në konferencën e organizuar në Kodrën e Diellit, për shpalljen e Malit Sharr si Park Nacional dhe mbrojtjen e tij. Dramiqanin theksoi se Parku Nacional, krahas të tjerash, do të sjelli përfitime të mëdha për banorët.

‘Park kombëtar nuk është vetëm të bëhet kjo drejtori ose ky trup që do të punojë dhe do të menaxhojë me zonën, por në thelb, një Park kombëtar të zhvilluar ku popullsia lokale do të jetë e vetëdijshme për përfitimiet që mund t’i kenë nëse jetojnë këtu.’ -tha Frosina Pandurska-Dramiqanin – Shoqata Ekologjike e Maqedonisë.

Metin Muharremi, nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim theksoi se në këtë konferencë, e cila po organizohet që pesë vite radhazi, marrin pjesë donatorë nga vendi dhe të huaj të cilët do të japin ndihmë financiare dhe do të mbështesin shoqatat të cilat punojnë në mbrojtjen e Malit Sharr.

‘Për gati 5 vite kemi organizuar kësisoj konferencash dhe sivjet ideja është pak më ndryshe. Qëllimi i kësaj konference është që donatorët të veprojnë në Maqedoni mirëpo edhe në rajonin tonë më të gjerë, Kosovë dhe  Shqipëri, dhe të merren me promovimin e mbrojtjes së natyrës. Platforma ‘Miqtë e Sharrit’ merret me iniciativën për shpalljen e Malit Sharr si Park Nacional.’ –shprehet Metin Muharremi – Qendra për Edukim dhe Zhvillim.

Platforma ‘Miqtë e Sharrit’ ka realizuar edhe anketa me banorët e zonës të cilët, siç thonë nga kjo platformë, janë deklaruar pro shpalljes së malit Sharr si Park Nacional. Ndërkaq, sipas informacioneve, pas përfundimit të valorizimit, pritet që në vitin e ardhshëm Parlamenti i Maqedonisë të vendos për të njëjtin. /Blerona Jakupi/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia