close
Top LajmeVendi

MAQEDONIA E VERIUT DHE BULLGARIA NË NJË TENTIM TË RI PËR ZGJIDHJEN E KONTESTIT

bullgaria.jpg

PO BËHEN  PËRGATITJET E FUNDIT PËR SEANCËN NDËRQEVERITARE MES DY VENDEVE


Me një qasje të re ndaj kontestit dhe një dinamike të bashkëpunimit të paralajmëruar, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të bëjnë përpjekje të reja që t’i japin fund kontestit mes dy vendeve. Në prag të seancë së përbashkët ndërqeveritare të të dyja vendeve që do të mbahet më 25 janar në Sofje, po bëhen përgatitjet e fundit, me çka janë formuar edhe grupet punese, për bashkëpunimin dhe përafrimin e qëndrimeve.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka formuar katër grupe punuese. Me grupin e parë që është për fushën e ekonomisë, do të bashkëryesojnë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi transmeton KlanM.  Në grupin e dytë për infrastrukturë, bashkëkryesues do të jenë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe ai i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti.

Në grupin e tretë, që është për integrim evropian, bashkëkryesues do të jenë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministri për politika për qeverisje të mirë, Slavica Grkovska dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Naser Nuredini. Ndërsa në grupin e fundit, i cili është për kulturë arsim dhe shkencë, bashkëkryesues do të jenë zëvendëskryeministri dhe ministri i Sistemit Politik dhe marrëdhënieve mes bashkësive, Artan Grubi, ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska dhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri raporton KlanM.

Edhe nga qeveria bullgare kanë njoftuar se janë formuar katër grupet, me të cilat do të bashkëkryesojnë përfaqësuesit e ministrive përkatëse.

Sa i përket grupit të pestë që ka të bëjë me historinë, nuk dihet ende nëse do të mbetet edhe më tej komisioni aktual i Maqedonisë dhe Bullgarisë për çështje të historisë dhe të arsimit dhe nëse do të punojë me formatin aktual.

Qasja e re ndaj zgjidhjes së kontestit mes dy vendeve është parë si hap pozitiv edhe nga ndërkombëtarët. Ministrja shtetërore e MPJ-së të Gjermanisë, Ana Lirman, në një intervistë për DW, ka përshëndetur sinjalet pozitive mes dy vendeve. Ajo shpreson se Shkupi do t’i fillojë së shpejti negociatat.

 Ana Lirman, ministrja shtetërore në MPJ-në gjermane

“Është e rëndësishme që ne si BE – këtu bën pjesë edhe Bullgaria – t’i mbajmë premtimet ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim atë proces, por në pjesën më të madhe bëhet fjalë për proces bilateral. Mendoj se edhe për qeverinë e re bullgare është prioritet të vazhdojë me agjendën e vet të reformave dhe se ekziston dëshirë që historia t’u lihet historianëve”.

Kontesti mes dy vendeve, ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, pasi Bullgaria i ka vendosur veton hapjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia