close
Rajoni

MARRËVESHJA E PRESPËS DHE ZGJEDHJET GREKE TË 7 KORRIKUT

Screenshot_5

Nuk do të ketë pasoja për Marrëveshjen e Prespës


Një ndryshim i mundshëm i pushtetit në Greqi, pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 korrikut, nuk do të ketë pasoja për marrëveshjen e Prespës.

Ky është mendimi i analistëve në Athinë e Shkup, që përcillet nga gazeta konservatore greke, “Kathimerini”.

Në rast se vërtetohen sondazhet, kryeministri i ardhshëm i Greqisë do të jetë kryetari i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis.

Vetë zoti Mitsotakis dhe partia e tij janë pozicionuar ashpër kundër marrëvshjes dhe nuk e votuan atë.

Kathimerini vlerëson se, pavarësisht kundërshtimit të vendosur, Mitsotakis  do t’i  qëndrojë besnik parimit të respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që ka nënshkruar Greqia.

Presidenti i Komisionit Europian, Jan Claude Juncker u takua në Bruksel me kryeministrin maqedonas, Zaev, pas zgjedhjeve europiane. Ndër të tjera, zoti Juncker tha se “Marrëveshja e Prespës ishte ndërmjet dy shteteve dhe jo ndërmjet dy qeverive”. Kjo deklaratë, nënvizon Kathimerini,  u interpretua si një mesazh ndaj liderit të demokracisë së re, Kiriakos Mitsotakis, në kohën që mund të ketë një ndryshim të pushtetit në Athinë, pas zgjedhjeve të 7 korrikut.

Kathimerini publikon përgjigjen e shefit të departamentit të jashtëm të Demokracisë së Re, deputetit Jorgos Koumoutsakos.

“Marrëveshja e Prespës është një marrëveshje e dëmshme me të cilën e angazhoi vendin qeveria e zotit Tsipras. Megjithatë, një qeveri e Demokracisë së re do të bëjë gjithçka që është e mundur për të zbutur pasojat negative të saj”, ka nënvizuar deputeti konvservator grek.

Koumoutsakos ka përsëritur se Greqia mund të përdorë të drejtën e vetos në Bashkimin Europian, në rast se gjykon që Maqedonia e Veriut shkel marrëveshjen e Prespës. /Robert Goro, Athinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia