close
Top LajmeVendi

MATTHEW PALMER: OPTIMIZËM PËR ZBATIMIN E ‘MARRËVESHJES SË PRESPËS’

palmer-780×439

Amerika mbështet transformimin e FSK-së, por jo edhe tarifat


Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka deklaruar se Maqedonia, shumë shpejt pas zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë, lidhur me emrin, do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Ai ka akuzuar Moskën zyrtare për atë që e ka quajtur përpjekje për pengim të realizimit të ‘Marrëveshjes së Prespës’. Në një intervistë për televizionin ALJAZZERA BALKANS zyrtari i lartë i administratës amerikane ka shprehur mirëkuptim për transformimin e Forcave të Sigurisë në ushtri të Kosovës, por jo edhe për tarifat doganore kundër mallrave nga Serbia e Bosnjë-Hercegovina.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, është shprehur optimist se Parlamenti i Maqedonisë ka për të përmbyllur me sukses miratimin e ndryshimeve kushtetuese për të vënë në jetë ‘Marrëveshjen e Prespës’ lidhur me emrin. Me këtë, ka thënë ai, hapet rruga e integrimit euroatlantik të vendit.

‘Mendoj se Maqedonia ka bërë një lëvizje të rëndësishme. Sigurimi i shumicës së dy të tretave në Parlament, të domosdoshme për inicimin e debatit për reformat e domosdoshme kushtetuese është një kthesë me rëndësi dhe ndërmarrje e madhe e Qeverisë së Zoran Zaevit. Presim që parlamenti maqedonas të përfundojë sa më parë këtë proces. Pas kësaj, radhën do ta ketë Athina dhe Qeveria e Greqisë dhe më mbanë shpresa se do të ratifikohet ‘Marrëveshja e Prespës,’ – thotë zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit duke shprehur shpresën se pas kësaj, 18 muaj më pas, Maqedonia, me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Duke folur për kundërshtimin e Marrëveshjes nga ana e opozitës maqedonase, Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, ka treguar mirëkuptim për ndjeshmërinë tek një pjesë e votuesve maqedonas, por është treguar optimist se kryeministri Zaev do t’ia dalë të adresojë mirë këto shqetësime. Sipas tij, shqetësimi më i madh ka të bëj me aktorë të jashtëm, përfshirë Federatën Ruse, të cilët, ka thënë ai, e minojnë Marrëveshjen:

‘Kemi vënë re se autoritetet ruse po inkurajojnë qytetarët e Maqedonisë, elemente të caktuar brenda shoqërisë maqedonase, të dyshojnë në qëllimet e mira të Qeverisë. Kemi vënë re edhe përpjekje të makinerisë së kontrolluar shtetërore infomative ruse që po tenton të imponojë mendimin, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose disa faktorë të tjerë të jashtëm, po e detyrojnë popullin e Maqedonisë për këtë Marrëveshje. Kjo nuk është e vërtetë,’ – është shprehur Palmer për TV ALJAZZERA BALKANS, duke nënvizuar se pengimi i zbatimit të ‘Marrëveshjes së Prespës’ në fakt është kontestim i institucioneve politike maqedonase.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, ka folur edhe për për tensionet në vijën Prishtinë-Beograd. Me këtë rast ai ka shprehur mirëkuptim për vendimin e autoriteteve kosovare që Forcat e Sigurisë të shndërrohen në ushtri të Kosovës:

SHBA-të në parim mbështesin të drejtën e Kosovës që të vazhdojë këtë transformim. Kjo nuk është diçka që bëhet me shtypje butoni, në mënyrë që menjëherë, brenda natës, të kalohet nga një formë e forcave të armatosura në tjetër. Ky është një proces tejet i ngadalshëm dhe i shkallë-shkallshëm i tranzicionit,’- ka deklaruar Palmer duke thënë se transformi i FSK-së në ushtri është brenda kuadrit ligjor të Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që me Kosovën si partnere të punojnë që ky proces të zhvillohet gradualisht dhe pofesionalisht për vendosjen e paqes e të sigurisë në rajon.

Ndërkaq, sa i përket rritjes së tarifave doganore që pala kosovare i vendosi për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, zyrtari i lartë i administratës amerikane ka shprehur shpresën se ato do të hiqen së shpejti, për shkak se, sikurse theksoi, janë pengesë për dialogun, por edhe për paqen. /Klan Maqedoni/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia