close
Vendi

ME COVID-PROTOKOLLE AEROPORTET HAPEN MË 1 KORRIK

download (1)

Të dy aeroportet, në Shkup dhe në Ohër, do të hapen më 1 korrik, të mërkurën, ndërsa kompanitë e fluturimeve do të njoftojnë si do të jetë orari i fluturimeve. Pasi 3 muaj e gjysëm ishin të mbyllura, në objektet e të dy aeroporteve që menaxhohen nga kompania turke TAV, është vendosur regjim i posaçëm i distancës fizike në mes udhëtarëve, dezinfektimi dhe matja e temperaturës.

Nga e mërkura, 1 korrik, në ndërtesat e aeroporteve do të mund të hyjnë vetëm udhëtarët, duke i respektuar protokollet e posaçme korona – distancë e obligueshme, dezinfektim dhe matje e temperaturës trupore. Nën këto kushte do të vazhdojë komunikacioni ajror në vend, i ndërprerë në mes të muajit mars kur gradualisht filluan të anulohen linjat, duke filluar nga Italia dhe vendet tjera, ku u përhap virusi korona.

“Nga ajo që na informoi drejtori mund të shihet se vërtetë plotësisht janë respektuar të gjitha protokollet dhe ajo që është e rëndësishme për ne është se nga dita e mërkurë, udhëtarët dhe të gjithë ne duhet t’i respektojmë të gjitha protokollet me qëllim që të mos vimë në situatë ku do të përhapet infeksioni edhe këtu”,tha Sugarevski.

Kompania e fluturimeve Vizair, siç kemi mësuar do të vazhdojë me punë nga 2 korriku, me orar të rregulluar fluturimi në varësi të rregullave në vende të caktuara evropiane. Për shembull ka destinacione të reja, ndërsa janë hequr disa nga të vjetrat, si për shembull fluturimi për në Suedi, për shkak të masave të posaçme që vlejnë për hyrje në këtë vend skandinav. Si do të trajtohen njerëzit që arrijnë nga Maqedonia e Veriut, ende nuk është saktësuar.

“Gjatë javës së kaluar kemi biseduar me përfaqësues të Këshillit për shëndetësi në Komisionin Evropian, të cilëve ua prezantuam gjetjet, statistikat dhe analizat tona. Kemi caktuar takime shtesë për nesër dhe të enjten. Ndërsa gjatë ditës së sotme pres që ta dëgjoj edhe ministrin grek të shëndetësisë në lidhje me paralajmërimet se është e mundur të hapet vendkalimi kufitar. Për momentin nuk kam informacione të sakta”,tha Filipçe.

Në pritje të mundësisë për të udhëtuar në Greqinë fqinje, destinacioni i zakonshëm për pushime verore i mijëra personave në vend, mbeten plazhet në vend afër tre liqeneve./KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia