close
Rajoni

MERKEL NË ATHINË: MIRËNJOHJE CIPRASIT DHE ZAEVIT PËR MARRËVESHJEN E PRESPËS

0

Një zgjidhje në të mirë të të gjithë Evropës


Kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur mirënjohjen ndaj kryeministrave të Greqisë dhe Maqedonisë për arritjen e marrëveshjes së Prespës.

 “I jam mirënjohëse kryeministrit Tsipras që punoi bashkë me zotin Zaev për një zgjidhje në çështjen e emrit. Është një zgjidhje në dobi jo vetëm të Greqisë dhe të Maqedonisë së Veriut, por edhe për gjithë Europën”, tha zonja Merkel gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me shefin e qeverisë greke.

Zonja Merkel paralajmëroi se në takimin me kryetarin e opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis, do t’i përcillte të njëjtin mesazh, pra rëndësinë që ka jetësimi i marrë veshjes për të dy vendet, por edhe për vetë Europën. Por ajo e përjashtoi që t’i bënte presion liderit të konservatorëve grekë, i cili e kundërshton me vendosmëri marrëveshjen e Prespës..

“Do t’ia shtroj këto çështjet zotit Mitsotaki, por nuk besoj se do të mund të ndryshoj gjërat ngase fola si kancelarë e Gjermanisë”.

Ndaj kësaj deklarate reagoi partia e zotit Mitsotakis, Demokracia e Re:

“Shprehim kënaqësinë për faktin se zonja Merkel konfirmoi se e mirëkupton kundërshtimin e shumicës dërrmuese të popullit grek ndaj marrëveshjes së Prespës, ashtu si dhe për pranimin nga ana e kancelares se nuk mundet të influencojë qëndrimin e Demokracisë së Re dhe të liderit të opozitës”.

Kancelarja gjermane u shpreh se aktualisht në Greqi po mbyllet një cikël.

“Kur zoti Tsipras erdhi për herë të parë në Berlin gjërat ishin ndryshe. U krijua besim ndërmjet nesh. E di se populli grek kaloi një periudhë të vështirë. Grekët duhej t’u nënshtroheshin reformave të dhimbshme”, tha kancelarja gjermane dhe shtoi:

“Nuk është fundi i një periudhe reformash, por fillimi i një situate të re. Papunësia është reduktuar dhe po përpiqemi të krijojmë vende të reja pune për brezin e ri”.

Policia nuk lejoi zhvillimin e disa tubimeve të protestës kundër vizitës së zonjës Merkel. Por partia Uniteti Popullor, që doli si fraksion i SYRIZA-s në pushtet, u përplas me forcat e rendit në qendër të Athinës, përfundon kronikën e tij korespodenti i Klan Maqedoni në Greqi, Robert Goro. /Robert Goro, Athinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia