Kryediplomatja: Jemi të vonuar me Tiranën dhe Shkupin
Gjermania e cilëson të vonuar procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe mos mbajtje e premtimit nga ana e BE-së.
Qëndrimi i qartë erdhi nga ministrja e Jashtme gjermane, Analene Berbok para takimit me kryediplomatët e vendeve të BE-së, ku veç rrezikut të agresionit rus në tryezën e diskutimit janë edhe marrëdhëniet e Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Pikë kyçe për mbajtjen e këtij premtimi është edhe hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në fillim të Verës dhe për këtë do të flasim më gjerësisht sot. Kjo çështje jo vetëm që është e vonuar, pasi ky është një premtim që është bërë prej kohësh, por është edhe një pikë kryesore për sigurinë dhe gjeopolitikën”.
Sipas saj, Ballkani është në presionin e përpjekjet ruse për të ushtruar ndikim ndaj duhet të mbahet premtimi për përfshirjen në BE, natyrisht me ritme të ndryshme për vende të ndryshme.
Në Bruksel ndodhen edhe gjashtë ministrat e Jashtme të vendeve të Ballkanit, ku janë të ftuar për një drekë pune me homologët e vendeve të Unionit.
Kryediplomatja shqiptare Olta Xhaçka pas takimi me komisionerin për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi u shpreh se ndajnë të njëjtin mendim se vendimi për Shqipërinë për Konferencën e parë Ndërqeveritare duhet të merret në Qershor.
Në rrjetet sociale Xhaçka shprehet se Theksoi bindjen e Shqipërisë se dështimi për të ofruar këtë do të ndikojë negativisht në besueshmërinë e Bashkimit Evropian dhe situatën në Ballkanin Perëndimor”.
Në takimin informal me homologët e vendeve të Ballkanit me ftesë të Josep Borell, Xhaçka në fjalën e saj theksoi se vendimi për caktimin e datës së konferencës së parë ndërqeveritare do të ishte e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë transformuese të BE-së në rajon dhe për të rritur aftësitë për t’u përballur me ndikimin e aktorëve të tretë.
Shumica e vendeve te BE-së janë pro hapjes se negociatave të Tiranës dhe Shkupit, veç Bullgarisë që ka vendosur veton ndaj Maqedonisë së Veriut.
Tv Klan