Ministri Besimi nënshkroi marrëveshje me Bankën Botërore për 37 milionë euro investime në rrugë lokale

U nënshkrua marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore, ku sigurohen 37 milionë euro për Projektin e lidhjes së rrugëve lokale, me të cilin do të rikonstruohen, përmirësohen dhe rehabilitohen gjithsej 450 kilometra rrugë lokale, në të gjitha komunat në vend. Projekti u nënshkrua ditën e sotme nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtori i Bankës Botërore për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovën, Massimiliano Paolucci, në prani të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski. Vlera e përgjithshme e projektit arrin në 70 milionë euro.
 “Njësitë e vetëqeverisjes lokale janë pushtete më afër qytetarëve, të cilët luajnë rol të rëndësishëm në rregullimin e mënyrës së jetesës së përditshme përmes shërbimeve publike që i ofrojnë. Kështu qëinvestimet në infrastrukturën komunale nënkuptojnë investim në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por edhe në nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes zhvillimit të mikroekonomive të tyre. Për më tepër, në një kohë kur ekonomia botërore përballet me sfida të mëdha dhe kur rritja ekonomike ngadalësohet në të gjitha ekonomitë, rëndësi të jashtëzakonshme ka zbatimi i axhendës së investimeve për të nxitur aktivitetin ekonomik në këto kushte jashtëzakonisht komplekse.
Investimi në rrugë, gjithmonë është një investim cilësor” potencoi ministri Besimi, duke shtuar se këtë javë u miratua edhe Ligji për financimin e NJVL-së, me ç’rast u vendosën reformat sa i përket avancimit të decentralizimit fiskal.
Ministri i transportit Boçvarski, theksoi se ky projekt realizohet sipas dinamikës së paraparë. Sipas tij, deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje për punime ndërtimore mbi rrugë lokale në 46 komuna. 
 “Sa i përket realizimit të këtij projekti, kemi arritur në fazë më të avancuar dhe lirisht mund të them se shënojmë rezultate të mira. Kemi pasur sukses që ta rrisin mobilitetin dhe cilësinë e jetesës në nivel lokal, në ato komuna ku ky projekt tashmë është realizuar.
 Dëshiroj të theksoj se deri më tani, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve përmes Njësisë së zbatimit të projekteve shpalli 4 thirrje publike, ku janë përfshirë 46 komuna me gjithsej 94 rrugë dhe me investim të përgjithshëm që tejkalon vlerën 17 milionë euro”, deklaroi Boçvarski.
Përmes Projektit për lidhjen e rrugëve lokale, Banka Botërore ofroi përkrahje në lidhje me përforcimin e kapaciteteve të vendit në drejtim të menaxhimit të rrugëve lokale dhe përmirësimit  të qasjes në vendet e punës, shërbimet dhe tregjet. Pikësynimi i projektit është rehabilitimi dhe zgjerimi i rrugëve lokale me gjatësi prej rreth 450 kilometrave, përkatësisht krijimi i shërbimeve transportuese më të mira dhe më të sigurta në 80 komuna që përfshihen në këtë projekt.
Ndër përfituesit e këtij projekti janë edhe komunat rurale me nivel të lartë varfërie dhe ata që merren me bujqësi, si dhe komunat urbane dhe zonat me popullsi të ndryshme socio-ekonomike. Ky financim shtesë do të plotësojë mjetet nga huaja fillestare për Projektin e lidhjes së rrugëve lokale, aprovuar nga Banka Botërore në datë 19 dhjetor të vitit 2019, të alokuara si reagim ndaj pandemisë së Covid-19, tha Paolucci.
Aktualisht, me mjetet e Bankës Botërore janë duke u realizuar projekte me vlerë prej mbi gjysmë miliardë eurove në vend, si në infrastrukturë, arsim dhe bujqësi.
PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share