Ministri i Brendshëm Sveçla: 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla,  shprehu mirënjohje të veçantë për autoritetet policore që po punojnë në terren. Ai sqaroi qytetarët se ka nisur zbatimi i vendimit të qeverisë për dokumentin e hyrje-daljes në pikat kufitare, një proces i shkurtër dhe vlefshmëria e tij është 90 ditë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250

Ai evidentoi gjithashtu edhe lëndimin e 11 qytetarëve të Kosovës si dhe disa veturave nga struktura kriminale, për të cilat ka nisur një hetim policor. Ministri tha se institucionet shtetërore do të jenë 24 orë nën shërbim të qytetarëve që kanë nevojë për informata të mëtejshme lidhur me këtë çështje.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

 

“Fjalën time dua ta filloj duke shprehur mirënjohjen time të thellë për policët në terren që nga mbrëmë janë vendosur në pikat kufitare dhe po mbrojnë rendin e sigurinë. Nga zemra ata i përgëzoj për sjelljen profesionale. Në orët e para të mëngjesit ka filluar zbatimi i vendimit të qeverisë së republikës së Kosovës për pajisjen me dokumentin me hyrje-dalje në pikat kufitare. I gjithë ky proces është duke vijuar pa pengesa, ashtu siç e kemi parashikuar, e gjithë procedura është jashtëzakonisht e shkurtër, në dallim prej procedurave të palës tjetër, e cila për 11 vite me radhë ka shërbyer si një metodë presioni për shtetasit tanë të cilët kanë kaluar nëpër Serbi. Për shkak të dezinformatave dhe informimit jo të drejtë të këtij procesi dua të siguroj edhe njëherë qytetarët e Kosovës, sikurse edhe ata të shtetit fqinj se dokumenti për hyrje-dalje do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal gjatë hyrjes si dhe qarkullimin në territorin e republikës së Kosovës si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore. Vlefshmëria e këtij dokumenti është 90 ditë.

Po ashtu duhet të flasim edhe për çfarë ka ndodhur mbrëmë. Nga zhvillimet e djeshme kemi 11 qytetarë të republikës së Kosovës të cilët janë të lënduar dhe kanë marrë trajtimet e nevojshme, ndërsa janë dëmtuar disa vetura të qytetarëve dhe policisë së Kosovës nga strukturat kriminale, ilegale të armatosura dhe policia ka filluar hetimin. Sipas informacioneve të fundit, disa barrikada tashmë janë larguar dhe një pjesë e barrikadave të tjera tashmë ka filluar të largohet. Bashkë me organet e rendit po punojmë në mbarëvajtjen e këtij procesi dhe do të sigurohemi që gjithçka të shkojë në rregull.

I sigurojmë qytetarët e vendit se i gjithë ky proces po vijon në bashkërendim të ngushtë mes njësive policore që janë të vendosura në pikat kufitare dhe stacioneve policore të ngritura nga shteti i Kosovës dhe e gjithë kjo me qëllim të përfundimit të suksesshëm të këtij aktiviteti, për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të republikës së Kosovës, sovranitetit të vendit dhe kushtetueshmërisë së republikës së Kosovës. Instiuticionet e republikës së Kosovës do jenë të gatshme në çdo moment që të asistojnë qytetarët të cilët kanë nevojë për informata shtesë përmes lidhjes së dedikuar për këtë proces, e cila do të jetë e hapur 24 orë. Më lejoni të falënderoj partnerët tanë për bashkëpunimin e ngushtë, liderët e partive politike në vend për unitetin politik, policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe gatishmërinë në mbrojtjen e sovranitetit të vendit”.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share