close
Top LajmeVendi

MINISTRJA E MPPS KËRKON KONSTRUKTIVITET NË PUNË

Screenshot_8

Shkrijel demanton se ka lëndë të bllokuara


Edhe në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale vështirë ecën procesi i bashkëjetesës në mes ministres dhe zv/ministres plotësuese. Pasiqë Rashela Mizrahi i bëri të ditura informacionet se për momentin 11.500 qytetarë presin përgjigje nëse u takon kompensim në para për kujdes nga personi tjetër dhe e akuzoi Qeverinë se paraprakisht problemet i ka “vënë nën qilim”. Ministrja plotësuese Sanela Shkrijel e ka demantuar Mizrahin dhe iu kundërpërgjigj akuzave duke thënë se ajo nuk i njeh ligjet, as mënyrën si funksionojnë 15 komisionet për kujdes të huaj në kuadër të ministrisë.

Në vend që të zgjidhen, grumbullohen kërkesa të reja për kujdes të huaj. Kështu ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Rashela Mizrahi para pak kohësh informoi se 8.500 lëndë janë deri diku të bllokuara dhe se problemet e qytetarëve “kanë qenë të vëna nën qilim”, për çka sot në konferencë për shtyp demantoi ministrja shtesë Sanela Shkrijel.

“Lëndët nuk janë të bllokuara, ato janë në procedurë dhe kanë afat për t’u zgjidhur. Kjo është gjendja reale faktike të cilën mund ta vërtetojë secili. Komisionet janë të formuara dhe dihet saktë në cilat qytete dhe me çfarë përbërje janë të formuara, ato janë nga mjekë specialistë.” –tha Sanela Shkrijel, ministre plotësuese e Punës dhe Politikës Sociale.

Shkrijel pret konstruktivitet në marrëdhëniet me ministren e re teknike dhe theksoi që qytetarët të mos jenë të shqetësuar sepse reformat sociale po vazhdojnë.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me ministren teknike. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen në lidhje me pagesat që kanë të bëjnë me të drejtat që i mbulon Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Ajo që gjithashtu nuk duam të lejojmë të ndodhë për interesa të tjera është plasimi në opinion i informacioneve të pasakta dhe të shkaktohet shqetësim te popullata.” –deklaroi Sanela Shkrijel, ministre plotësuese e Punës dhe Politikës Sociale.

Për momentin në vend më shumë se 27.000 familje janë shfrytëzues të ndihmës sociale, ndërsa mbi 27.000 fëmijë marrin shtesë fëmijërore, të drejtën e pensionit social e shfrytëzojnë 4170 persona. Ministrja plotësuese gjithashtu u bëri thirrje punëtorëve të falimentuar nga dita e nesërme të paraqiten në Entet për punësim që ta realizojnë të drejtën e kompensimit mujor deri në pensionim. Sipas vlerësimeve të ministrisë të drejtën për kompensim të këtillë mund ta shfrytëzojnë edhe 1000 punëtorë të falimentuar. /Verica Dimitrijevska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia