close
RajoniTop Lajme

MITROVICË E VERIUT: ANALISTËT – PRO DHE KUNDËR AKSIONIT

ks1

SPAHIU E MIHALJOVIQ KOMENTOJNË TENSIONET  MË TË FUNDIT

Një aksion i Policisë dhe Doganës së Kosovës në Mitrovicën e Veriut kundër luftimit të kontrabandës është pritur me protesta nga banorët lokal serbë në këtë pjesë të Mitrovicës dhe në komunën e afërt të Zveçanit. Bëhet e ditur se disa zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore. Ka edhe të arrestuar.

Gazetari Miki Mihajloviq, duke folur për TV KlanM nga Beogradi, tha se për serbët në Veri të Kosovës aksioni I së mërkurës është provokacioni më i rëndë gjatë disa viteve të fundit dhe shënon shkeljen e të gjitha marrëveshjeve, por edhe rrezikon mbijetesën e tyre në Kosovë:  

‘Këto ngjarje janë provë se dialogu i Beogradit dhe Prishtinës është në krizë të madhe, veçmas pasi misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe bashkësia ndërkombëtare, në përgjithësi, të paktën deri tani nuk kanë bërë kurrfarë reagimi. Çdo problem i pazgjidhur bëhet shkas i rrezikshëm për incidente që dalin jashtë kontrollit. Është e rrezikshme që kryeministri kosovar dërgon forca të mëdha policore dhe po ndërmerr këto aksione vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale dhe, nëse kjo përpjekje e tij është për të përmirësuar rejtingun e vet, mendoj se po bën një gabim të madh,’– thotë gazetari serb Miki Mihajloviq.

Ndërkaq, profesor Nexhbedin Spahiu, në një prononcim për televizionin tonë nga Mitrovica e Veriut, ka argumente krejtësisht të kundërta: Ai thotë se kundërshtimi i aksionit policor të Kosovës nga ana e serbëve lokalë është me mbështetje dhe motive politike: ‘Është një ballafaqim i policisë me strukturat të cilat janë bartëse të krimit në Veri të Kosovës që po reagojnë ndaj një veprimi të zakonshëm të policisë për arrestimin e disa personave të involvuar në kontrabandë. Reagimi, natyrisht ka edhe mbështetje politike për shkak se Serbia vazhdimisht është e interesuar që të tregojë se shteti i Kosovës nuk funksionon, që ka një kryeministër ‘të çmendur’, që ka institucione të brishta, ndërkohë që tendenca e Qeverisë Kurti është të demonstrojë të kundërtën: që këtu ka shtet dhe funksionojnë institucionet e shtetit,’- vlerëson analisti Spahiu.

Sikurse njofton korrespondentja e Televizionit Klan nga Prishtina, aksioni kundër kontrabandës u ndërmor në zonën e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut./Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia