close
Top LajmeVendi

MSH: 24 RASTE TË REJA, SHKON NË 201 NUMRI I TË PREKURVE

Rritet numri i të infektuarve nga korona virusi në Maqedoninë e Veriut. Në 24 orët e kaluara janë regjistruar 24 raste të reja duke e çuar numrin e të infektuarve në 201. Shënohet edhe rasti i parë në Tetovë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe ka bërë thirrje që qytetarët të mos grumbullojnë rezerva të ilaçeve.

Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 24 raste të reja me koronavirus. Në Shkup janë regjistruar 15 raste, në Kumanovë -4, Dibër – 2, Ohër -1, Shtip – 1 dhe në Tetovë 1 rast. Me këtë numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostifikuar me COVID-19 deri sot në orën 12:00 është 201 persona.

Nga Klinika për Sëmundje Infektive janë çregjistruar dy pacientë të cilët në dy testet kanë rezultuar negative. Pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë lëshuar për mjekim shtëpiak. Me këtë shënohen tre raste që janë shëruar nga koronavirusi kurse tre të tjerë kanë ndërruar jetë.

Përhapja e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar panik tek një pjesë e qytetarëve të cilët kanë filluar të blejnë ilaçe në sasi të mëdha.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe përmes profilit të tij në Facebook ka bërë thirrje që qytetarët t`i respketojnë rekomandimet e mjekëve amë për mbrojtjen e shëndetit dhe mjekimit përkatës.

“Mos blini ilaçe pa nevojë, respektivisht mos krijoni rezerva në shtëpitë tuaja. Ka sasi të mjaftueshme të Ilaçeve me reçetë në ngarkesë të Fondit të miratuar nga Agjencia për ilaçe dhe mjete mjekësore.

-Të sillemi në mënyrë të përgjegjshme dhe pa panikë me çka do ta mbrojmë sistemin tonë shëndetësor dhe shëndetin e qytetarëve.”shprehet Venko Filiçe në rrjetin e tij socialfejsbuk

Nga 15 shkurti, janë bërë 1493 teste të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, prej të cilëve 933 në Institutin për Shëndet Publik dhe 560 në Klinikën “Zhan Mitrev”. Pozitivisht kanë rezultuar 177 teste, kurse prej tyre  janë evidentuar 764 kontakte që janë ndjekur ose po ndiqen gjatë periudhës dyjavore.

Rreziku i vlerësuar i OBSH-së për përhapjen e koronavirusit në suaza evropiane dhe nivel botëror është i lartë – thuhet në Raportin e Institutit për Shëndet Publik. Sipas kategorizimit të rrezikut nga ana e OBSH-së, vlerësohet se Dibra dhe Shkupi janë në fazën e katërt që do të thotë shpërndarje e gjerë e transmisionit të koronavirusit nëpër komunitete. /Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia