close
Rajoni

Muzeu i Forcave të Armatosura pasqyron historinë ushtarake të Shqipërisë

thumbs_b_c_2654e2eafff61586a815d16ae3f138f3

Muzeu i Forcave të Armatosura të Shqipërisë (MFA) është muze që pasqyron trashëgiminë ushtarake dhe ngjarjet më të rëndësishme ushtarake të vendit ndër dekada

Në Shqipëri në mesin e shumë muzeve është edhe një muze unik, që i dedikohet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ku pjesë e tij janë armë, mjete ushtarake, mjete teknike, uniforma, si dhe dokumente dhe simbole të përdorura nga ushtria shqiptare në periudha të ndryshme historike.

I vendosur në territorin e Garnizonit “Skënderbeu” pranë godinës së Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë në Tiranë, Muzeu i Forcave të Armatosura të Shqipërisë (MFA) është muze që pasqyron trashëgiminë ushtarake dhe ngjarjet më të rëndësishme ushtarake të vendit ndër dekada.

Ky muze është hapur në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ai përbëhet nga disa pavijone që dokumentojnë jo vetëm historinë e forcave të armatosura, por edhe e shndërrojnë muzeun në një vend tërheqës për vizitorë nga shtete të ndryshme dhe studiues shqiptarë apo të huaj.

Aktualisht pjesë e muzeut janë rreth 3.600 objekte me vlera muzeale, ndërsa ai është i konceptuar dhe ndarë në pavijone edhe sipas periudhave historike, ku pjesë e tij janë pavijoni i hollit qendror, pavijoni i epokës 1470-1939, pavijoni i Luftës Nacionalçlirimtare (LANÇ) 1939-1945, pavijoni i luftës së ftohtë në vitet 1945-1990 dhe ekspozime të objekteve jashtë godinës së muzeut.

Pavijoni i hollit qendror pjesë kryesore të tij ka portretet e drejtuesve politikë, civilë dhe ushtarakë të Ushtrisë së Shqipërisë që nga viti 1912 e deri në ditët e sotme.

Në pavijonin e epokës 1470-1939 spikasin armët e shekullit të XVII-XIX, sidomos pushkët me mbushje baruti nga lart, pisqolla e kobure artizanale.

Pavijoni i Luftës Nacionalçlirimtare ka të ekspozuara armatim trofe të ushtrisë italiane dhe gjermane të përdorur në Luftën Nacionalçlirimtare, si dhe dokumente dhe botime rreth luftës.

Ndër objektet kryesore të pavijonit të Luftës së Ftohtë janë pistoleta të llojeve të ndryshme të prodhimit turk, gjerman, italian, rus, kinez, si dhe pushkë, automatikë, mitraloza të kalibrave e llojeve të ndryshme, municione, si dhe pajisje të shëndetësisë dhe aparatura të ndërlidhjes.

Jashtë godinës së muzeut gjenden mjetet ushtarake që janë përdorur kryesisht gjatë periudhës së regjimit komunist, duke përfshirë avionë, helikopterë, tanke, transportues të blinduar, artileri tokësore dhe artileri kundërajrore të kalibrave të ndryshëm dhe automjete ushtarake transporti që kanë qenë në përdorim të ushtrisë së Shqipërisë./AA

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia