close
Rajoni

Myftiu i Shqipërisë takon Papa Françeskun, i kërkon mbështetje për pavarësinë e Kosovës (FOTO)

Capture-108-750×430

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hoxhë Bujar Spahiu, ka vizituar shtetin e Vatikanit, nga ku u prit në një audiencë të veçantë, me ftesë të Papa Françeskut. Kryetari Spahiu gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës.

Takimi mes Papa Françeskut dhe Kryetarit Spahiu zgjati për më shumë se 30 minuta.

“Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që z. Spahiu zhvilloi gjatë audiencës me Papën”, thuhet në njoftimin e Komunitetit Myslimanë të Shqipërisë.

Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm.

Papa vlerësoi rolin e veçantë të Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi, mbi vëllazërimin njerëzor.

Të dy krerët shkëmbyen edhe dhuratat e rastit në fund të takimit.

Takimi mes Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të Komunitetit Myslimanë të Shqipërisë.

Më pas, takimet e kryetarit Spahiu vijuan me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzotin Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia