close
RajoniTop Lajme

NAIM LEO BESHIRI: A MUND TË MERREN VESH KURTI E VUÇIQI

B8B06047-24D2-409C-8215-B15D5D1F29F0

 Kreu i Institutit për Çështje Evropiane, Naim Leo Beshiri, thotë se komuniteti ndërkombëtar ka për të imponuar kompromisin para Kosovës e Serbisë – si domosdoshmëri, pavarësisht retorikës që mund të dëgjohet nga të dyja palët. Në një intervistë dhënë për TV Klan Maqedoni, zoti Beshiri flet për mundësinë e vazhdimit të dialogut, për qëndrimin e opozitës dhe të Kishës Ortodokse Serbe ndaj Kosovës, si dhe për shqetësimet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Me të bisedoi kolegu Seladin Xhezairi.

–         Zoti Beshiri, si drejtor ekzekutiv i Institutit për Punë Evropiane, me seli në Beograd, si i shikoni këto zënka politike e ndëretnike, do të thoja, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kam parasysh këtu edhe mundësinë e zgjidhjes së kontestit apo të nyjes kosovare!

Beshiri: Mendoj se retorika në opinionin publik gjatë 30 viteve të fundit në vijën Beograd-Prishtinë nuk ka ndryshuar fare: Vazhdon të ekzistojë një retorikë nacionaliste gjatë fushatave parazgjedhore, edhe në Kosovë, edhe në Serbi. Gjatë 15 viteve të fundit, fjala vjen, kemi pasur shpesh zgjedhje në Serbi dhe në Kosovë dhe pikërisht këto momente janë përzgjedhur që të tensionohet situata, përkatësisht që të shkaktohet intolerancë në vijën Beograd-Prishtinë që për pasojë ndikon në jetën e qytetarëve, para së gjithash të Kosovës, kam parasysh këtu shqiptarët dhe serbët, por dhe pjesën tjetër të Serbisë, përkatësisht  qytetarët e Serbisë. Prandaj, fatkeqësisht retorika nuk ka ndryshuar gjatë tridhjetë viteve të fundit dhe për këtë arsye nuk mund të jemi afër ndonjë rezultati të këtij dialogu. Rikujtoj se tash dhjetë vjet Beogradi dhe Prishtina zyrtarisht po zhvillojnë negociata, por që akoma nuk kanë rënë dakord se për çfarë po bisedojnë. Qëndrimi i Serbisë është se po negociohet për normalizimin e marrëdhënieve, përderisa nga pala kosovare këto negociata shihen si për njohjen e Kosovës. Së këndejmi, elita politike në Serbi ende nuk ka mbledhur forcën për t’i bindur qytetarët në Serbi se për çka po negociohet saktësisht, ndërsa në fakt po bisedohet për modalitetet sipas të cilave Serbia do ta njohë Kosovën në mënyrë implicite ose eksplicite. Nga ana tjetër, Albin Kurti tani po paralajmëron se ky dialog nuk ka për të qenë prioritet i tij, se nuk bën pjesë ndër disa prioritetet e tij, dhe kjo vetëvetiu nuk është gjë e mirë. Ai është një ndër kryeministrat e Kosovës që ka qenë më pak në mandatin e tij dhe ka gjasë që do t’i përsëritet i njëjti fat, nëqoftëse ka për të injoruar nevojën për dialog me Beogradin, sepse qytetarët e Kosovës përfundimisht nuk mund ta kenë më mirë nëse nuk ka përparim konkret në 33 marrëveshje tashmë të firmosura, por edhe në marrëveshjen e re potenciale që po e quajmë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Me fjalë të tjera, si njëra, ashtu dhe elita tjetër politike, nuk janë të pjekura sa duhet për të qenë afër zgjidhjes së problemit të Kosovës.

–         Ndërkohë, më duket se për Radion Evropa e Lirë ka folur, Marko Prelec nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka thënë përafërsisht se – përderisa të jetë Albin Kurti në ballë të Qeverisë së Kosovës, dhe Aleksandar Vuçiq në ballë të Serbisë, nuk pret ndonjë përparim në këtë dialog. Çfarë mendoni ju?

Beshiri: Do të isha dakord me këtë vlerësim. Këtu mund të shikojmë dy dhe vetëm dy situata tejet të skajshme: Që dialog të mos ketë fare dhe ai absolutisht të mos ekzistojë, përderisa dy liderët janë në pozita ose që pikërisht këta liderë të gjejnë pjekurinë dhe vizionin politik që ata të ulen bashkarisht për të arritur zgjidhjen finale. Këto janë ato dy skajshmëritë: pra, ose nuk do të ketë dialog ose dialogu do t’i përafrohet marrëvesheshjes gjithëpërfshirëse juridike midis Beogradit dhe Prishtinës të cilën po e kërkon Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Tani është vetëm çështja nëse Albin Kurti është i gatshëm të bëjë ndonjë koncesion, për shkak se duket ashiqare se Aleksandar Vuçiqi po mundohet t’ua shesë qytetarëve të Serbisë se ka marrë diçka në negociatat me Prishtinën. Çfarë është kjo ‘diçka’ – a është ndonjë territor, ndonjë mosnjohje eksplicite ose diçka e tretë, kjo ende nuk është e qartë, por aktualisht po përballemi me faktin se kemi dy liderë të cilët nuk janë të njohur për gatishmërinë e vet që të bëjnë kompromise, ndonëse kjo ka për të qenë e domosdoshme!

–         Nga ana tjetër shtrohet edhe çështja e qëndrimit të  Beogradit  zyrtar, por edhe e qëndrimit të serbëve në Serbi,ndaj çështjes së Kosovës. Kohë më parë kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Vladimir Kostiq, përafërsisht tha si vijon –  se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe me këtë duhet të pajtohet edhe Beogradi.  Shikuar nga këtu, në Serbi fitohet përshtypja se nuk ka ndonjë dallim në qëndrimin ndaj Kosovës mes pozitës dhe opozitës serbe…

Beshiri: Ashtu është: Opozita dominuese që është shumë zaife, tërësisht e përçarë dhe pa kurrfarë plani në politikë në këtë moment, po kundërshton çfarëdo njohje të Kosovës dhe ideja për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sipas një pjese të opozitës, është se duhet mbrojtur status-quoja për të pritur rrethana më të volitshme ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Ekziston një pjesë shumë e vogël, margjinale, e opozitës që konsideron të kundërtën: Se Kosovën duhet njohur, se duhet shtrirë dorën e pajtimit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët evropiane, por gjatë nëntë viteve të fundit që kur Partia Përpartimtare Serbe, të cilës i prinë Aleksandar Vuçiq, sundon në Serbi, çfarëdo kritikë në adresë të pushtetit, të politikave të tij në sferën publike, në media, nuk është e mundshme të pasqyrohet, kështu që shumë shpesh edhe as që mund t’i dëgjoni qëndrimet as të opozitës e as të ndonjë kritiku tjetër të politikës së sotme të pushtetit. Ekzistojnë shenja se me të gjitha marrëveshjet të cilat janë miratuar gjatë nëntë viteve të fundit, duke filluar nga marrëveshja në jurisprudencë ku gjykatësit dhe prokurorët serbë janë integruar në sistemin e drejtësisë të Kosovës e deri tek thuaja të gjitha pikat e Marrëveshjes së Brukselit, në parim, të cilat kanë qenë në kompetencë të Serbisë, pjesërisht ose tërërisht janë përmbushur, ndërsa pala kosovare – pjesën që ka të bëjë me komunitetin serb – Asociacionin, nuk e ka përmbushur. Prandaj argumenti i Beogradit është se Kosova duhet ta përmbushë edhe këtë pjesë të Marrëveshjes së Brukselit para se të shkohet më tej.  Fatkeqësisht, opozita vendosi që presidentin Vuçiq ta sulmojë, ndër të tjera, edhe për çështjen e Kosovës pa ndonjë plan të qartë se si ajo do ta zgjidhte këtë problem.

–         A prisni ndryshim të qëndrimeve të Beogradit zyrtar, tani pas ndërrimit në ballë të Kishës Ortodokse Serbe, për shkak se kjo kishë deri tani nuk mund të thuhet se ka qenë apolitike, veçanërisht rreth çështjes së Kosovës?

Beshiri: – Mendoj se qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe rreth Kosovës nuk do të ndryshojë. Çështja është se si do të jetë retorika e kreut të ri të Kishës, a do të jetë e ashpër, sikurse krerët parparakë apo do të jetë disi më e matur dhe do të bëjë thirrje për paqë, pajtim, për zgjidhjen e çështjeve ose do të jetë sikurse e Irinejit që bënte thirrje për pandashmërinë e Kosovës nga Serbia dhe qenien serbe. Që të mësojmë përgjigjen për këtë duhet të presim të kalojë një kohë, të shohim se si do të reagojë Kisha, duke marrë parasysh se me Kishën nuk udhëheq vetëm kreu por edhe Peshkopët dhe kujtoj se qëndrimi Kishës Ortodokse serbe nuk do të ndryshojë në mënyrë drastike rreth Kosovës dhe ky do të jetë shqetësimi kryesor i Presidentit Vuçiq për shkak se kjo kishë është institucioni të cilit qytetarët e Serbisë i besojnë më shumë dhe ajo ka karakter mobilizues nëse Presidenti Vuçiq bën hapa drejt njohjes së Kosovës, mund të angazhojë qytetarët me anë të liturgjive të ndryshme, protestave dhe formave tjera të kundërshtimit, nëse autoritetet vendosin për zgjidhje të përhershme të çështjes së Kosovës.

–         A prisni presione më të mëdha apo më të vogla të administratës së re amerikane të Presidentit Bajden, duke marrë parasysh deklaratat e fundit të Presidentit Vuçiq se do të ketë presione  duke iu referuar dallimeve në letrat e fundit drejtuar atij dhe Presidentes së Kosovës?

Beshiri: – Mendoj se çështja e Kosovës do të jetë në agjendën e administratës së Bajdenit, jo aq lartë sa presim ne, por do të jetë në agjendë. Mendoj se pozicioni i SHBA-ve, siç qëndrojnë për momentin punët, do të përpiqet të harmonizohet me BE-në dhe Gjermaninë që nuk ishte rasti me administratën e Trampit. Nëse kjo ndodhë, mund të presim një presion serioz mbi Serbinë dhe Kosovën për zgjidhjen e çështjes, sepse edhe Brukseli, Berlini dhe Uashingtoni janë të lodhur nga pritjet, premtimet, se marrëveshja gjithëpërfshirëse juridikisht e obligueshme do të miratohet. Ju rikujtoj, se kjo së pari ishte paralajmëruar për në fund në vitit 2017 dhe që nga atëherë, për çdo vit anulohej.

–         Dhe, krejtësisht në fund z.Beshiri, si e shihni situatën e pakicave në Serbi, duke marrë parasysh se këtyre ditëve, duket se ka qenë deputeti Shaip Kamberi I cili është shprehur për sjellje injoruese të Beogradit, duke u thirrur në përdorimin e termit “shiptar” në vend “shqiptar” nga ana e zyrtarëve serbë dhe kjo më duket se nuk u sanksionua nga gjykata. Z. Shaip Kamberi për Televizionin tonë, para disa muajve, afërsisht tha kështu: “Ne shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa  kanë serbët në Kosovë?

 Beshiri: – Padyshim se problemi i pakicave është problemi më i madh me të cilin përballet një vend, mirëpo nëse krahasohemi me vendet e                          tjera të rajonit, Serbia ka një progres, parime, mekanizma për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe pakicave. Natyrisht se ka probleme të caktuara, që nga përdorimi i gjuhës, arsimi në gjuhën amtare, dokumentet personale e deri tek punësimet dhe problemet e tjera që shfaqen në përgjithësi. Pjesëtarët e pakicave përkatësisht shqiptarët me këto probleme përballen shumë më shpesh në krahasim me popullsinë shumicë. Kjo është diçka për të cilën edhe Qendra Koordinuese për Serbinë e Jugut duhet të punojë më tepër, por në 10 vitet e fundit, janë bërë disa përparime, në veçanti kur është fjala për arsimin sipëror, shkollimin e mesëm dhe fillor, por kjo është një rrugë ku për momentin askush nuk është i kënaqur, përfshirë edhe Qeverinë serbe. Sa u takon termeve pezhorative të zyrtarëve serbë, ato janë shumë të gabueshme, të këqija dhe fatkeqësisht shumë shpesh përdoren për shkaqe politike e jo për degradimin e ndonjë bashkësie etnike, para së gjithash kjo bëhet më shumë për arsye politike që vendos pakicën shqiptare në një situatë të vështirë në vend. Kemi një vendim gjykate para dy viteve që përdorimi i fjalës “shiptar” është i kundërligjshëm dhe përdoret që dikend ta ofendojë, nënshtrojë dhe kjo është e ndaluar, kemi edhe praktikë gjyqësore me të cilën kjo ndalohet. Përse disa zyrtarë të lartë madje edhe në pozita të Ministrave edhe mëtej shfrytëzojnë këtë shprehje, është e turpshme. Por, në përgjithësi, pozita e pakicave në Serbi është më e mirë sesa në rajon, ndonëse është shumë larg asaj që të jetë në nivelin e kënaqshëm./ KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia