close
Top LajmeVendi

NDOTJA E AJRIT: PULMOLOGËT NDEZIN ALARMIN

Screenshot_6

Rritet numri i të sëmurëve nga kanceri i mushkërive, nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, nga goditjet në tru, si dhe nga sëmundjet kardiovaskulare, alarmojnë nga klinika e pulmologjisë. Më shumë se 2500 persona në vit në Maqedoninë e Veriut vdesin si pasojë e sëmundjeve që i shkakton ajri i ndotur.

Ajri i ndotur, probleme me frymëmarrjen ose ngufatja janë shqetësimet më të shpeshta, për të cilat ankohen pacientët që kërkojnë shpëtim në ambulantën e klinikës së pulmologjisë. Në këtë institucion nga Ministria e shëndetësisë kanë marrë 3500 maska për mbrojtje nga ajri i ndotur, të cilat ua japin të sëmurëve kronikë. Më të rrezikuar janë më të vegjëlit, organet e të cilëve janë në zhvillim, ndërsa pasojat ndjehen më vonë.

“Më shumë vuan organizmi i fëmijëve, ndërsa ndryshimet më të mëdha ndodhin në moshën 18 dhe 19-vjeçe, kështu që ndryshimet që mund të ndodhin do të vërehen më vonë në jetën e tyre.”- thekson njëri nga mjekët

Erërat dhe shirat e kohëpaskohshëm në nëntor mundësojnë që situata me pasojat nga ajri i ndotur ende të mos jetë alarmante. Nga klinika e pulmologjisë paralajmërojnë se shkaku më i shpeshtë i kancerit të mushkërive është duhanpirja, ndërsa ajri i ndotur është faktori i jashtëm më i rrezikshëm.

“Kuptohet që nuk mund ta përjashtojmë ndikimin e ndotësve të ajrit në raport me rritjen e numrit të pacientëve që mund të kenë kancer të mushkërive.”- shprehet Dejan Dokiq, Pulmolog-Alergolog.

Sipas Organizatës Botërore të shëndetësisë vdekshmëria nga pasojat e ajrit të ndotur në Maqedoninë e Veriut është mbi 125 persona në 100.000 banorë dhe është dyfish më e lartë nga mesatarja evropiane. Të dhënat nga OBSH thonë se rreth 2500 raste të vdekjes në vit në Maqedoninë e Veriut janë pasojë e ajrit të ndotur. /Verica Dimitrijevska/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia