close
Top LajmeVendi

NDRYSHIMET KUSHTETUESE: E PREMTJA DITË HISTORIKE PËR VENDIN 

Screenshot_1

Zaev i matur, Kasami hesht, Mickoski akuzon


Seanca për ndryshimet kushtetuese u thirr për në orën 13:00, por asnjëherë nuk filloi. Do të vazhdojë nesër, por me paqartësi se a i ka shumica numrat e mjaftueshëm për të kaluar ndryshimet. E kësaj paqartësie i kontribuoi edhe më shumë kryeministri Zoran Zaev i cili në konferencë për media, tha se nuk e di se a i ka numrat.
Ishte i mllefosur me sjelljen e kreut të opozitës, Hristijan Mickoskit, për të cilin tha se, nuk vepron ashtu siç flet para ndërkombëtareve.

“Ai thirri në rezistencë, ua tregoi rrugën përkrahësve të tij që t’i bashkohen, të krijojnë edhe një 27 Prill të ri…kuptohet këtë nuk do ta lejojmë. Çfarëdo që të bëjnë ata vetëm e dëmtojnë Maqedoninë… Mickoski po krijon pasoja katastrofale të cilat lënë gjurmë, një politikë të këtillë të papërgjegjshme, nuk e kam pritur dhe as që kam shpresuar se do të ndodhë, por secili le të bartë përgjegjësinë e vet…” deklaroi Zoran Zaev Kryeministër.

Për ambasadorët debatin e nisi Janko Baçevi, i cili para Kuvendit u thoshte të pranishmëve se tre deputet nga tetë të shkëputurit nga VMRO DPMNE nuk duan të votojnë në fazën finale, por ambasadori amerikan së bashku me bashkëpunëtorin e tij po i mban të mbyllur në një dhomë të Kuvendit.

Ky pohim e detyroi Kuvendin që të reagojë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi në mënyrën më të ashpër përgënjeshtron informatat e deklaruara nga lideri i Maqedonisë së Bashkuar, Janko Baçev se përfaqësues të ambasadës amerikane, me urdhër të ambasadorit amerikan Xhes Bejli, mbajnë të mbyllur tre deputetë në Kuvend. E informojmë publikun se bëhet fjalë për dezinformim klasik, me qëllim që të dëmtohet autoriteti i Kuvendit dhe i procesit të integrimit në BE dhe NATO të Republikës së Maqedonisë. Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, çdo deputet vendos vetë, sipas bindjes së vet dhe nuk ka dhe nuk do të ketë presion mbi të zgjedhurit e popullit dhe lëvizja e tyre është e lirë.

E për amerikanët foli edhe Mickoski para Kuvendit.
“Po lëshon arsyetime se ky, apo ndonjë ambasadore tjetër është në Kuvend dhe po tentojnë t’i bindin deputetet… Nuk është e vërtetë, po gënjen. Gënjen pa turp! Po i keqpërdorë miqtë tanë amerikan dhe evropian. Ti je ai që po bën pazare e jo miqtë tanë ndërkombëtarë.” shprehet Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së. 

Edhe pse të gjithë gazetarët sot i kishin sytë nga Lëvizja Besa, ata nuk u prononcuan se ku kanë ngecur me bisedimet, dhe se a po vazhdojnë takimet mes grupeve të punës.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia