close
Screenshot_6

Edhe një premtim i parealizuar i LSDM-së?


Lideri I VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski propozon 120 njësi zgjedhore, duke theksuar se ai që në rrethin e parë do të fitojë më shumë vota të jetë përfaqësues i qytetarëve në parlament. Paraprakisht Kryeministri Zaev kishte deklaruar se Qeveria dhe LSDM-ja janë të gatshëm për ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe se për ta janë të pranueshme dy modelet e ofruar – një njësi zgjedhore ose lista të hapura.

Premtimi ynë ishte për një njësi zgjedhore…

Mandatit po i afrohet fundi, e një ndër premtimet kryesore të partisë në pushtet për ndryshime në Kodin Zgjedhor ende nuk u përmbush, por vullnet ka.

“Partinë që unë e udhëheq është për modele që e avancojnë demokracinë në shtet. Për këtë shkak jemi për 1 njësi zgjedhore, por mund të mendojmë edhe për listat e hapura gjegjësisht do të përkrahnim edhe lista të hapura.” deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër i RMV-së.

Por çdo zgjidhje eventuale, duhet të aprovohet edhe prej partive më të mëdha, thotë kryeministri Zaev. Kreu i opozitës, Hristijan Mickoski, thotë që tema për modelet zgjedhore as që është hapur dhe se momentalisht ekskluzivisht po flitet për rekomandimet e OSBE/ODIHR-së.

“Sa i përket qëndrimit tonë rreth modelit zgjedhor… Lista më të hapura se 120 njësi zgjedhore, model të zgjedhjes me shumicë nuk ekziston! Le të dalim dhe le ta pranojmë këtë model dhe të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme.’ -shprehet Hristjan Micoski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.

Propozimi i Mickoskit nuk është diçka e re. Konsultuam ekspertin për çështje të Kodit Zgjedhor, Subhi Jakupin. Ai na tha se deri më vitin 1998 ka pasur 120 zona, por vlera e votës nuk ka qenë e njëjtë sepse zonat nuk kanë qenë të balancuar. Gjithashtu, sipas tij, ky sistem i favorizon partitë e mëdha.

Sa i përket opozitës shqiptare, fillimisht do të kërkojnë pastrimin e listave zgjedhore, e sa i përket modelit zgjedhor, ata thonë që propozimin e kanë gati që moti.

Aleanca për Shqiptarët ka formuar edhe komision për këtë çështje, i cili udhëhiqet nga deputeti Syrija Rashidi, dhe janë të gatshëm të flasin edhe për zgjidhje tjera eventuale. /Furkan Saliu/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia