close
Top LajmeVendiVideo

NGA AKSIDENTI TRAGJIK 13 TË VDEKUR E DHJETËRA TË LËNDUAR

Vazhdojnë hetimet për shkakun e aksidentit


Së paku 13 persona e kanë humbur jetën dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur në autostradën Shkup-Tetovë, si pasojë e rrokullisjes së një autobusi me udhëtarë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:45 minuta dhe sipas informatave të para, vozitësi ka humbur kontrollin e mjetit dhe është rrokullisur në një humnerë përgjatë autostradës.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce në një paraqitje publike pas aksidentit ka njoftuar se numri i viktimave në aksidentin që ndodhi në autostradën Shkup – Tetovë është 13-të. Shumë të tjerë trajtohen nëpër spitale të ndryshme.

“Numri i përgjithshëm i të vdekurve është 13. Mund të konstatoj se më vjen shumë keq … Reaguam menjëherë sapo morëm informacionin.”- tha Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Mjekë nëpër spitalet e Shkupit dhe Tetovës kanë njoftuar për të lënduarit dhe trajtimin e tyre.

Në Spitalin e Tetovës një pacient që i mbijetoi fatkeqësisë rrëfeu tmerrin e aksidentit.

“Sinqerisht t`ju them, shumë shpejt ndodhi gjithçka, sikur autobusi humbi kontrollin, nga njëra korsi në tjetrën dhe u rrokullisëm, ramë poshtë në humnerë” –deklaroi i njëri nga të  mbijetuarit.

Shumica e të aksidentuarve janë nga qyteti i Gostivarit. Kryetari i kësaj Komune shprehet se është një ditë tragjike për këtë vend.

Ndryshe, autobusi që rregullisht qarkullonte në relacionin Shkup-Gostivar pasdite rreth orës 16.45 ka dalë nga rruga duke shkaktuar vdekjen e 13 personave. Vozitësi i ka mbijetuar fatkeqësisë dhe me të ka biseduar policia. Edhe ai gjendet për mjekim në spital dhe duhet të vërtetojë shkaqet e aksidentit tragjik që tronditi vendin. Nga policia kanë bërë të ditur se deri në publikimin e ekspertizës të mos manipulohet dhe spekulohet për shkaqet e aksidentit.

Siç njoftohet për të vërtetuar shkaqet e aksidentit, Prokurori Publik ka dhënë urdhër për obduksionin e trupave të viktimave, si dhe kontroll teknik të jashtëzakonshëm të autobusit. Gjatë natës vendngjarja sigurohet, kurse ekspertiza dhe tërheqja e autobusit do të vazhdojë ditëve në vijim. Pas ekspertizës së kryer autostrada Shkup-Tetovë në ora 20:55 është lëshuar për qarkullim në dy drejtimet. /Klan Maqedoni/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia