close
ALBKS

Ka nisur këtë të premte mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Kryeministri Edi Rama priti homologun e tij, Albin Kurti dhe delegacionin e qeverisë së Kosovës në një prej resorteve në Elbasan.

Ky është takimi i 7 i dy qeverive, por i pari mes dy kabineteve që drejtohen nga Edi Rama dhe Albin Kurti.

Axhenda parashikon një takim mes dy kryeministrave, si dhe  takime të veçanta mes ministrave të dikastereve homologe, ku do të bëhet një vlerësim i zbatueshmërisë së marrëveshjeve të arritura më para. Më pas do të ketë dhe një takim të përbashkët mes dy qeverive, i cili do të pasohet me nënshkrimin e 16 marrëveshjeve me fokus në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar.

Më konkretisht gjatë këtij takimi do të nënshkruhet marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore, si dhe marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, ku përmes një aplikimi të thjeshtë qytetarët nga të dyja vendet do të marrin të drejtën e qëndrimit dhe njëkohësisht dhe lejen e punës në vendet respektive.

Një tjetër marrëveshje që është programuar për t’u nënshkruar në këtë mbledhje do jetë edhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave. Gjithashtu siç edhe u angazhuan dy kryeministrat disa javë më parë, do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin apo rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë. Po ashtu pritet të ketë edhe marrëveshje në fushën e sigurisë.

Kosova dhe Shqipëria deri tani kanë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta, deri më tani janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi./tvklan.al

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia