close
Top LajmeVendi

NJË SËRË MASASH PËR ZBUTJEN E NDOTJES SË AJRIT

Screenshot_4

Shilegov mohon akuzat e opozitës


Për herë të dytë organizatat joqeveritare u ulën në tryezë të përbashkët me përfaqësues të pushtetit qendror dhe atij lokal në Shkup që të gjejnë zgjidhje të mundshme për zvogëlimin e ndotjes së ajrit, sipas së cilës disa qytete në Maqedoni kryesojnë në Evropë. Ajo që është bërë deri tani janë subvencionet për zëvëndësimin e koftorëve me lëndë djegëse të ngurta, filtra të kapaciteteve të caktuara, ripërtërirja e parqeve – por këto masa a do japin rezultate gjatë muajve të dimrit kur banorët e Shkupit, Tetovës, Kërçovës, Manastirit dhe qyteteve tjera helmohen në ajrin  e ndotur?

Takimi me zv/ministrin e Ekologjisë, Jani Makraduli, dhe me kryetarin e Shkupit, Petre Shilegov, për Ana Çolloviq nga organizata joqeveritare “Eko Svest” është mundësi jo vetëm për krijimin e politikave kundër ndotjes së ajrit për vitin e ardhshëm, por edhe për kritikë të hapur për atë që është bërë deri tani.

“Edhe pse në fillim qeveria ishtë shumë ambizioze kur thoshte se shumë shpejt do t’i shohim efektet nga plani për ajër të pastër, do të shohim zvogëlim të ndotjes. Duhet të jemi të vetëdijshëm se lufta kundër ndotjes së ajrit nuk është diçka që zgjidhet për kohë të shkurtër dhe nuk është diçka për të cilën mund të jemi të sigurtë se do ta zgjedhim me dy-tri masa ose me dy plane. Kjo është luftë e gjatë dhe është i nevojshëm përkushtim afatgjat nga të gjitha institucionet.” –tha Ana Çolloviq, OJQ “Eko Svest”

Çolloviq theksoi se disa nga ministritë as nuk janë të vetëdijshme sa dhe si mund të kontribuojnë, edhe pse shumë sektorë në vend edhe më tej janë problematikë – si industria, komunikacioni, ndërtimtaria dhe humbja e hapësirave të gjelbërta. Në rrugë për një strategji afatgjate, zv/ministri Makraduli, mundi të numërojë vetëm hapa të ndërmarrë afatshkurtër, në të cilët ky institucion e ka harxhuar buxhetin.

“Zëvëndësimi i koftorëve dhe efikasitet energjetik në 16 komuna, shkolla dhe çerdhe, ende vazhdon thirrja për 30 filtra që do të instalohen në Pollog në kompani të cilat për fat të keq shkaktojnë ndotje, por këtë ne do ta subvencionojmë 100% dhe 11,5 milionë denarë janë ndarë për komunat e Shkupit, në çerdhe dhe shkolla që të ndahen nga rrugët.” –shprehet Jani Makraduli, Zëvendësministër i Ambientit Jetësor

Kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov insiston se qyteti i Shkupit ka bërë shumë për ajër më të pastër gjatë muajve të dimrit, prej të cilave si masa prioritare i numëroi marrjen e sistemit për ngrohje qendrore, aksionin për subvencionimin e eko-koftorëve, investimin në komunikacion alternativ, shtigjet e biçikletave dhe të tjera.

“Imperativi që unë e kam deri në vitin 2021 është që Shkupi të shpallet qytet çiklizmi. Seriozisht kemi investuar në gjelbërim në peridhën që ka kaluar. Gjatë këtij viti kemi rekord të ripërtërirjes së hapësirave të gjelbërta, ose krijmin e të rejave, në hapësirë prej 130 mijë metra katrorë dhe rreth 8000 fidanë të rinj të cilësisë së lartë.” –deklaroi Petre Shilegov, Kryetar i Shkupit.

Shilegov i hodhi poshtë në mënyrë kategorike kritikat e opozitës se punon pa sukses, sidomos kur është në pyetje ndotja e ajrit në kryeqytet.

“Nuk e ndërtova unë Shkupin 2014, nuk e preva unë Vodnon përgjysëm, nuk ngrita ndërtesa gjithandej…( nuk është harxhimi i 680 milionë  euro në qendër të Shkupit në kushte kur nuk keni rrjet të ujit të nxehtë dhe transport bashkëkohor – gabim i kësaj administrate).” –vlerëson Petre Shilegov, Kryetar i Shkupit.

Sipas informacioneve nga joqeveritarja “Eko Svest” edhe pse është bërë servisimi i disa nga stacioneve matëse të grimcave të dëmshme në ajër, në disa qytete ndotja nuk matet, kështu që nuk mund të ketë pasqyrë të qartë të ndotjes së ajrit në vend. Ata apelojnë në transformim më gjithëpërfshirës të shoqërisë dhe të ecet në hap me trendet botërore, që të mos përsëriten gabimet e së kaluarës dhe qytetet në vend të mbeten në majë të listave të ndotjes, gjë që seriozisht e dëmton shëndetin e njerëzve. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia