close
BotaShowbizVendi

“NOMA” I RENE REXHEPIT RESTORANI MË I MIRË NË BOTË

NOMA

HERA E PESTË SHPALLET MË I MIRI NË BOTË

“Noma”, restoranti i shqiptarit nga Tetova, Rene Rexhepi, është zgjedhur restoranti më i mirë në botë për vitin 2021. Restoranti që ndodhet në Kopenhagë të Danimarkës u vlerësua me çmimin e parë në mesin e 50 restoranteve më të mira në botë.

Restorani “Noma” i tetovarit Rene Rexepi në Kopenhagë për të pestën herë shpallet më i miri në botë. Këtë çmim ky restoran e ka fituar edhe në 2010, 2011, 2012 dhe 2014. Nuk ka munguar festa as në kuzhinën e këtij restorani.

Konkursi “50 restorantet më të mira në botë”, i cili u zhvillua në Antëerp, Belgjikë, nga data 3-5 Tetor, vlerësoi “Noman” për menunë e saj novatore dhe përdorimin e përbërësve të veçantë ushqimorë.

“Asnjë udhëtim në Noma nuk është kurrë i njëjtë, me Rene Rexhepin dhe ekipin e tij duke kërkuar vazhdimisht për përbërës të papritur dhe duke i kthyer ato në pjata të bukura”, thuhet në dedikimin e çmimit për fituesin.

43-vjeçari Rene Rexhepi me origjinë nga Xhepçishti i Tetovës në prononcimin e tij të parë pasi “Noma” mori çmimin e madh, tregoi se sa i rëndësishëm ishte ky vlerësim për të dhe stafin e tij.

“Në këtë kohë të pandemisë patëm ngritje dhe rënie, kryesisht rënie dhe ajo që më motivoi të vazhdojë është kjo familje e zgjeruar e njerëzve tek të cilët kam besim të madh”

Nuk kanë munguar urimet nga Maqedonia e Veriut. “Mirënjohje meritore, që përsëritet në vazhdimësi, sukses me të cilin krenohemi të gjithë ne në Maqedoninë e Veriut” – ka shkruar në Facebook, Ministri I Jashtëm Bujar Osmani.

“Noma” është restorani I dytë që për të pestën herë e fiton këtë çmim, duke u barazuar me restoranin “El Buli” të kuzhinierit spanjoll Feran Adrija. Në fillim të këtij viti “Noma” ishte shpërblyer me tre “yje Mishelin”

Lista përpilohet nga një grup me ndikim të mbi 1.000 kuzhinierëve dhe ekspertë të kuzhinës, gazetarë dhe kritikë./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia