close
Top LajmeVendi

NUK KA VULLNET PËR ZBATIMIN E LIGJIT TË GJUHËVE NË MPB

Screenshot_6

Njësitë speciale nuk e duan shqipen në uniforma


Çdoherë që është pyetur për zbatimin e dygjuhësisë në uniformat e policisë, ministri i atëhershëm topin e hidhte tek grupi i punës, e grupi i punës nuk është takuar ka më shumë se katër muaj.

Në bazë të informatave që i siguroi Klan, në këtë grup bën pjesë vetëm një shqiptar. Problemet e para janë paraqitur me përkthimin e dobët të emrave, që më pas në takimet vijuese, krye-shefat e njësive speciale të thirrën në interpretimin e juristëve që i kanë brenda në MPB edhe pse interpretues autentik i vetëm i ligjit është Kuvendi, të cilët u kanë thënë se uniformat nuk kanë nevojë të jenë në dy gjuhë.

Ky problem nuk ka mundur të tejkalohet nëpërmjet zëvendësministrit, Agim Nuhiu, i cili e ka informuar zëvendëskryeministrin Bujar Osmani. E ai, tha se po tentohet që problemi të zgjidhet deri në mars, kur edhe kalon afati i paraparë me ligj për ndryshimin e uniformave, e më pas inspektorat do të duhet ta kryej punën e vet.

Në MPB ka munguar vullneti edhe kur janë ndryshuar tabelat në kufij pas ndryshimit të emrit të shtetit. Pika kufitare “Bllacë” që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën, është nën Komunën e Çuçer Sandevës, e persona të caktuar në MPB kanë insistuar se aty shqiptarët nuk janë 20% dhe tabelat nuk duhet të jenë në dy gjuhë. I njëjti problem ka qenë edhe me pikën kufitare “Tabanovcë”, e cila është nën komunën e Kumanovës, por në insistim të personave zyrtar të përkatësisë etnike shqiptare, tabelat janë vendosur në dy gjuhë. /Furkan Saliu/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia