close

Ministri i ri i Ekologjisë takohet me gazetarët


Ministri i ri për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor Naser Nuredini sot u takua me gazetarët. Në takim Nuredini theksoi se do të angazhohet për ekonomi moderne dhe të gjelbërt dhe se do të bëjë gjithçka për zgjidhje alternative për problemet me ajrin e ndotur, deponitë e egra dhe problemet tjera të cilat e bëjnë vendin tonë më të ndoturin në Evropë.

Unë nuk jam politikan, por jam këtu si njeri i përgjegjshëm, me përvojën time do të jap kontribut për zgjidhje në një nga ministritë më të rëndësishme për momentin, ambienti jetësor. Kështu sot në takim me gazetarët u prezantua ministri i ri, i cili e zëvëndëson atë të deritanishmin Sadulla Duraku. Ish-këshilltari për investime në Londër dhe në Austri premton se do të bëjë gjithçka për rezultate pozitive në ministri.

“Ambienti i dëmtuar jetësor vështirë rregullohet, të gjithë duhet të kyçemi për të ardhmen e fëmijëve tonë. Unë nuk jam ekolog, por mendoj se më i rëndësishëm është menaxhimi i mirë. Vetëm me menaxhim të mirë të ministrisë do të arrijmë rezultate për ekonomi moderne dhe të gjelbërt.” – deklaroi Naser Nuredini, Ministër për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.

Në pyetjen e gazetarëve si do të përballet me problemet ekologjike dhe ajrin e ndotur ministri deklaroi se duhet të mendohet në mënyrë të mençur.

“Duhet të mendojmë në mënyrë të mençur për riciklimin e mbeturinave, ndotja më e madhe e ajrit vjen nga mënyrat si popullata i ngroh shtëpitë. Duhet të gjejmë zgjidhje alternative, por edhe t’i ndjekim shembujt e Gjermanisë, Austrisë, por edhe Sllovenisë të cilat u bënë të parat për riciklimin e mbeturinave.”-tha Naser Nuredini, Ministër për Ambient Jetësor dhe Planifikim Hapësinor.

Ministri i ri theksoi se transparenca dhe profesionalizmi do të jenë themelet e punës së tij. Ai vjen në këtë funksion pas rikonstruimit të paralajmëruar të qeverisë nga ana e kryeministrit Zoran Zaev. /Verica Dimitrijevska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia