close
Bota

OBSH-ja ME OPTIMIZËM PËR PANDEMINË NË VITIN 2022

obsh

EVROPA TEJKALOI SHIFRËN 100 MILIONË TË INFEKTUAR ME VIRUSIN KORONA

Virusi korona, nga paraqitja para dy viteve në Kinë deri më tani, ka infektuar mbi 100 milionë njerëz në Evropë dhe pothuajse 300 milionë në botë. Vetëm në shtatë ditët e fundit janë regjistruar rreth pesë milionë raste të reja në Evropë, megjithë pritshmëritë optimiste të shefit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, se pandemia në vitin 2022 do të mposhtet. Doktor Tedros Gebrejesus në mesazhin e tij për Vitin e ri kërkoi të tejkalohet “nacionalizmi shkurtpamës dhe deponimi i vaksinave” me qëllim që bashkërisht të mposhtet sëmundja.

Dy vite pasi bota për herë të parë dëgjoi për virusin korona që u paraqit në qytetin Vuhan në Kinë, sëmundja deri më tani mori 5,5 milionë jetë, ndërsa shifra zyrtare e të infektuarve globalisht u ngjit në 290 milionë. Një e treta e këtyre shifrave janë në Evropë, që e bën kontinentin edhe më tej qendër të pandemisë, krahas të gjitha masave dhe restriksioneve që i kanë miratuar 52 shtetet. Britania e Madhe këtë fundjavë numëron 163 mijë të infektuar të rinj në nivel ditor, Franca mbi 200 mijë, ose nga dy raste pozitive në çdo sekondë.

OLIVER VERAN, MINISTËR I SHËNDETËSISË, FRANCË

“Vërtetë janë të vogla shanset që të ikim nga virusi këtë herë, virusi përhapet shumë shpejt, ndërsa personat e pavaksinuar kanë shanse të mëdha të infektohen.”

Krahas valës së re të variantit “omicron”, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë me optimizëm thekson se bota tani ka në dispozicion shumë më tepër vegla për mjekimin e Covid-19, duke shpresuar se në vitin 2022 pandemia do të mposhtet me masa të përbashkëta nga ana e shteteve .

 

TEDROS GEBREJESUS, OBSH

“Nacionalizmi shkurtpamës dhe deponimi i vaksinave nga ana e disa vendeve e minojnë baraspeshën dhe krijuan  kushte ideale për paraqitjen e variantit “omicron”. Sa më shumë që zgjat pabarazia, aq më i madh do të jetë rreziku. Kur t’i japim fund pabarazisë , do t’i japim fund edhe pandemisë.”

Deri më tani në botë janë shpërndarë mbi 8,5 miliardë doza të vaksinave, me të cilat janë shpëtuar miliona jetë. Ndërkohë zhvillohen edhe trajtime të tjera të reja për mjekimin e sëmundjes, që pritet të rezultojë me ulje dramatike të vdekshmërisë./KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia