close
Vendi

ODIHR PËR ZGJEDHJET E 17 TETORIT

osbe

LIPSET REFORMË GJITHËPËRFSHIRËSE E KORNIZËS LIGJORE

Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, tha të hënën se zgjedhjet lokale të 17 tetorit ishin konkurruese dhe liritë themelore u respektuan gjerësisht, por mangësitë e shumta në kornizën ligjore e nënvizojnë nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse. Partitë kryesore parlamentare gëzojnë përparësi sistemore, veçanërisht në shpërndarjen e burimeve publike për zhvillim të fushatës, duke përfshirë edhe në media. Rekomandimet e ODIHR -it, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me një rishikim gjithëpërfshirës të kornizës ligjore zgjedhor, mbeten të patrajtuara.

Kandidatët mund të zhvillonin fushatën lirshëm, por retorika negative, që shpesh i kishte për synim gratë, e tërhoqi vëmendjen nga debatet e fokusuara në probleme konkrete. Administrata zgjedhore e respektoi shumicën e afateve ligjore, por aftësia e saj për ta përmbushur mandatin e saj u kufizua për shkak të të personelit dhe kapacitetit të kufizuar operativ. Zbatimi i vonshëm i identifikimit biometrik të votuesve krijoi sfida shtesë në administrimin e zgjedhjeve.

Dita e zgjedhjeve, duke përfshirë edhe numërimin e votave, në përgjithësi u vlerësua pozitivisht, përkundër problemeve të shpeshta me pajisjet biometrike, votimin në grup dhe disa gabimeve procedurale gjatë numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve.

Zbrazëtirat dhe mospërputhjet e shumta në ligj, duke përfshirë edhe ato të shkaktuara nga ndryshimet e shpeshta dhe shpesh të papërputhura, e zvogëluan sigurinë ligjore dhe ndikuan negativisht në administrimin pa pengesa të zgjedhjeve. ODIHR ka vërejtje se ndryshim-plotësimet e para një muaji në Kodin Zgjedhor u bënë me vonesë dhe pa debat publik ose konsultim me palët kryesore të interesit që është në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare.

Së këndejmi, vëzhguesit ritheksojnë se rekomandimet e ODIHR -it, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me një rishikim gjithëpërfshirës të kornizës ligjore zgjedhor, mbeten të patrajtuara./Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia