close
Rajoni

‘OPINION’ PËR VIZITËN E MERKELIT NË TIRANË

1BA1D146-ACC8-4400-AC8D-AA75C8F3D13E

Ç’THONË ANALISTËT PËR ‘OPEN BALKAN’


Vizita e djeshme e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë, dhe takimet e saj lamtumirëse edhe me liderët e vedeve të tjera të rajonit, ishin temnë bosht e emisionit ‘Opinion’ të kolegut Blendi Fevziu. Sikurse mund të pritej kanë dominuar vlerësimet lidhur me iniciativën për ‘Ballkanin e Hapur’ të ngritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti iI Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kancelarja gjermane, në largim, Angela Merkel, tha të martën në Tiranë se bashkëpunimi sa më i ngushtë rajonal ka për ta bërë më të fuqishëm edhe Procesin e Berlinit dhe, konform kësaj, ka për të përshpejtuar edhe integrimin e rajonit në familjen evropiane. Kolegia Elia Zotka që mbuloi vizitën e Kancelares tha në ‘Opinion’ se mesazhet kryesore të saj kishin të bëjnë me integrimin, pa përjashtuar as nismat rajonale për këtë.

‘Mesazhi tjetër që besoj se i ka vlejtur Shqipërisë, por më shumë i ka vlejtur kryeministrit Rama, Presidentit serb Vuçiq dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zaev ishte pikërisht mbështetja e qartë për ‘Open Balkan,’ – tha Zotka duke shpjeguar se ndonëse kancelarja nuk e përmendi emrin e kësaj nisme, foli për Procesin e Berlinit dhe për Tregun e Përbashkët rajonal me katër marrëveshje, një synim ky edhe i  projektit ‘Ballkani i hapur’.

Analistja Fatjona Mejdini ndërkaq, duke rikujtuar se Tregu i Përbashkët  Rajonal, marrëveshja për të cilin u firmos nga gjashtë qeveritë e rajonit në samitin e Sofjes, nëntorin e kaluar, e që nënkupton katër liritë themelore të Evropës – lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, u ndal edhe tek kundërshtimi i Ballkanit të Hapur nga lidershipi aktual i Kosovës:

‘Kurti dhe Qeveria e Kosovës beson tek kjo nisma e Tregut të Përbashkët për shkak se kjo udhëhiqet nga Europa, dmth. është një pjesë e Procesit të Berlinit i cili në vetëvete është pjesë e procesit të madh europian, ndërsa diferenca me Ballkanin e Hapur është iniciativë individuale e Zaev, Vuçiq edhe Rama, pa pasur ‘supervizimin’ dhe koordinimin e Evropës,’ – thotë Mejdini.

Preç Zogaj ndanë mendimin se Procesi i Berlinit, nisma për Tregun e Përbashkët dhe ‘Open Balkan’ janë të ndërlidhura e komplementare me njëra-tjetrën, por se projektet që synojnë integrimin më të shpejtë të rajonit nuk duhet të mbeten vetëm në letër:

‘Procesi i Berlinit është i Evropës. Vendet e Ballkanit mund të konstatojnë që Evropa është e ngadalshme. Nuk e mohojmë që ai është një platformë e drejtë, por është një platformë që është lënë në sirtar. Udhëheqësit e Ballkanit mund ta marrin atë dhe ta zhvillojnë në ato pika që mund të zhvillohen. Krijimi i tregut të përbashkët është në interes të qytetarëve të të gjithë Ballkanit’.

Kryeministri Zoran Zaev në takimin lamtumirës me kancelaren Merkel ka vlerësuar se nisma për ‘Ballkanin e hapur’ mbështetet mbi parimet e funksionimit të Bashkimit Evropian dhe synon krijimin e një të ardhmeje më të mirë për qytetarët, ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka quajtur atë ‘pjellë të Procesit të Berlinit’, jo alternativë të këtij procesi dhe as në kontradiktë me të. Për dallim prej tyre, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se vendi i tij nuk do të bëhet pjesë e nismës ‘Ballkani i Hapur’./ Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia