close
Rajoni

OPOZITA NË KOSOVË FAJËSON QEVERINË PËR KRIZËN ENERGJETIKE

90130412-1896-41fa-9928-a71fb257a731_w1597_n_r1_st

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës kanë fajësuar qeverinë për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha në seancën e Kuvendit të Kosovës se kriza energjetike do të krijojë humbje qindra milionëshe për Kosovën.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë të diskriminuar sa i përket reduktimeve pasi, siç tha ai, në pjesën veriore të Mitrovicës, komunë me shumicë serbe, nuk ka as reduktime e as ndalje të rrymës.

Shala tha se ekzekutivi duhet të bëjë një zgjidhje sa më të shpejtë.

“Jemi dëshmitarë që tashmë kemi hyrë në një fazë të thellë energjetike. Pasojat do të jenë shumë të mëdha. Nuk kemi asnjë të dhënë se kur dhe si do të dalim nga kjo krizë. Si do ta përballojnë qytetarët këtë situatë në periudhën më të vështirë të dimrit. Përgjegjësi kryesor është Qeveria e Kosovës, pasi nuk i ka kryer detyrat për parandalimin e kësaj krize”theksoi Shala.

Ai ftoi kryeministrin Albin Kurti që të shpallë gjendje emergjente energjetike.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha se Qeveria duhet të bëjë politika pro-aktive për t’i parandaluar krizat.

“Kemi parë tash e 10 muaj një qeveri që reagon në probleme dhe nuk ka një situatë ku ndërton politika pro-aktive ndaj probleme që dihen. E kemi ditur qe gjashtë muaj që do të kemi krizë me energji dhe tash ka një reagim për këtë dhe nuk ka strategji për ta parandaluar këtë krizë”, tha deputeti Tahiri./REL/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia