close
Top LajmeVendi

OSMANI KUNDËR NDRYSHIMIT TË LIGJIT PËR GJUHËT

Screenshot_8

“Të ndërtojmë kapacitete që asnjë lëndë gjyqësore të mos dështojë për shkak të përkthimit”


Zv/kryeministri Bujar Osmani sot kategorikisht e kundërshtoi çfarë do qoftë ndryshim të Ligjit për gjuhët pa pajtueshmëri në mes BDI-së dhe LSDM-së dhe pa konsensus në Kuvend. Në të kundërt do të zhvendoset ekuilibri maqedono-shqiptar, i arritur përmes shumë sakrificave, për zbatim të plotë të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, thekson ai. Edhe pse në titullin e përmbledhjes së shkurtër Komisioni i Venecias “i bën thirrje qeverisë së Maqedonisë së Veriut ta rishikojë ligjin e ri për gjuhët dhe ta hedhë poshtë dispozitën për dygjuhësi në procedurat gjyqësore”, Osmani angazhohet për sigurimin e burimeve për përkthim në gjuhën shqipe, në vend të ndryshimeve në tekstin e ligjit.

Apeli nga Komisioni i Venecias për Qeverinë në Shkup “që të rishikohet Ligji i ri për gjuhët dhe të hidhet poshtë dispozita për dygjuhësi në procedurat gjkyqësore”, siç shkruan në vetë titullin e përmbledhjes së ekspertëve juridikë në Këshillin e Evropës, sipas zv/kryeministrit Bujar Osmani në fakt është lënie e hapësirës që qeveria vetë të vlerësojë në qoftë se ka ose jo ngadalësim të punës në sistemin gjyqësor, edhe pse në përmbledhje shkruan se “kjo qasje mund të ngadalësojë funksionimin e sistemit gjyqësor në tërësi, duke rrezikuar shkeljen e të drejtës për gjykim – fer”.

“Komisioni i Venecias nuk thotë që të hidhet poshtë dygjuhësia në sistemin gjyqësor, thotë se ndoshta për momentin nuk ka kapacitete, kështu që qeveria, përkatësisht shteti të mendojë që përkohësisht ta prolongojë zbatimin, derisa të krijohen kapacitete ose të krijojë kapacitete. Të menduarit shëndetshëm është – të krijojmë kapacitete.” -shprehet Bujar Osmani, Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane.

Sipas Osmanit, Komisioni i Venecias ka qëndrim pozitiv rreth çështjes së dygjuhësisë në uniformat e ushtrisë dhe të policisë, si dhe të parave në vend, për çka kryesisht u kërkua mendim nga ky organ. Megjithë këtë, konsideron se përveç kyçjes eventuale të kësaj pjese në nenin 8, nuk duhet të ketë ndryshime tjera në ligjin i cili tashmë është në fuqi. Në të kundërt, siç tha, çdo përpjekje e njëanshme për zhvendosje të ekuilibrit në marrëdhëniet ndëretnike do të jetë në dëm të shtetit.

“Për shembull, a do t’i mbivotojnë gjykatësit kushtetues maqedonas ata shqiptarë, Ministria e Drejtësisë pa pëlqimin e tërë qeverisë, Kuvendi pa pëlqimin e bashkësive etnike, kushdoqoftë në vend, në qoftë se përpiqet që në çështjen më të ndjeshme të ketë qasje të njëanshme, e thyen boshtin që mban ekuilibrin e marrëdhënieve maqedono-shqiptare në vend. Çdo qasje duhet të jetë gjithëpërfshirëse.”- deklaroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane.

Pasiqë mbrëmë kryeministri Zoran Zaev theksoi se do të zbatohen rekomandimet e Komisionit të Venecias, ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska sot shtoi se së pari do ta presin mendimin e plotë të Komisionit, që pritet të publikohet gjatë ditës së nesërme.

“Ligji është në fuqi qe një kohë të gjatë, askush nuk paguajti dënim pse nuk e njeh gjuhën shqipe, siç na kritikonin, askush nuk është i detyruar të përdorë diçka që nuk e di ose nuk dëshiron ta përdorë, ashtu siç pohonin disa. Treguam se kjo çështje nuk është tabu, dhe se këtë çështje duam ta zgjidhim si shtet që ndërton një shoqëri për të gjithë. Me frymë të këtillë dhe argumente do ta shohim mendimin e Komisionit të Venecias dhe do të dalim me qëndrim të përbashkët. Nuk besojmë në ndryshimin e menjëhershëm të këtyre ligjeve të rëndësishme. Megjithatë besojmë se të gjithë partnerët në koalicion do ta respektojmë atë që e kemi marrë si obligim.”- vlerëson Radmila Sheqerinska, ministre e Mbrotje.

Zv/kryeministri Bujar Osmani në konferencën e sotme për shtyp në më shumë drejtime theksoi se një pjesë e formulimeve në mendimin e Komisionit të Venecias janë të përfunduara, “nën presionin e anëtarëve nga Maqedonia e Veriut në këtë organ”. Profesoresha Tanja Karakamisheva, anëtare e Komisionit nga viti 2016, dje u bëri thirrje publike kolegëve të saj nga bota akademike ta mbështesin iniciativën për rishikim të kushtetueshmërisë së Ligjit për gjuhët, miratimin e së cilës e kundërshtoi ashpër opozitarja VMRO-DPMNE dhe ish-presidenti Gjorge Ivanov. Disa muaj para zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut, çështja për marrëdhëniet ndëretnike kthehet në debat. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia