close
Top LajmeVendi

OSMANI NË ATHINË: PËRZEMËRSI POR EDHE VËRREJTJE RRETH “PRESPËS”

01910801-ADE4-4974-A372-F22FEA8544CE

OSMANI-DENDIAS: RMV-ja DHE GREQIA SHEMBULL PËR BALLKANIN


Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani sot në Athinë është mysafir i kreut shtetëror grek. Me kolegun e tij Nikos Dendias u angazhuan për zbatim të mëtejshëm të Marrëveshjes së Prespës, gjë që për palën greke nënkupton përdorimin e emrit “Maqedonia e Veriut” në radius më të gjërë se institucionet publike dhe private dhe mënjanimin e diellit “Vergina”. Në pjesën e biznesit mbetet të rrumbullakësohen projektet e gazsjellësve, të ripërtërihet hekurudha dhe rrugët, si dhe të hapen dy vendkalime kufitare që janë premtuar në komunën e Kavadarit dhe në afërsi të Liqenit të Prespës.

Me nënshkrimin e tre memorandumeve për bashkëpunim në mbrojtjen civile, në investimet e huaja dhe në trajnimet diplomatike, si dhe me përzemërsi të ndërsjellë të dukshme dy ministrat e punëve të jashtme, Bujar Osmani dhe Nikos Dendias, kanë bërë një hap më tej në marrëdhëniet në mes Maqedonsië së Veriut dhe Greqisë, që u zhbllokuan me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës para dy vite e gjysmë. Krahas riemërimit të institucioneve shtetërore kryesore, Greqia pret që procesi të vazhdojë.

NIKOS DENDIAS, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME, GREQI

“Nga njëra anë për zbatimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të emrit dhe të terminoliogjisë nga të gjitha institucionet publike dhe subjektet private, duke përfshirë edhe ueb-faqet. Nga ana tjetër për çrrënjosjen e asaj që është antike, mënjanimin e diellit “Vergina”, nga të gjitha vendet dhe përdorimet publike, riemërimi i rrugëve dhe objekteve publike.”

Dendias këtë e numëroi në kontekst të dëshirës së Greqisë, siç tha, për mbështetje të Maqedonisë së Veriut në përpjekjet për integrimin evropian, në emër të stabilitetit dhe të zhvillimit të gjithë rajonit, që sipas mysafirit të tij, ministrit në Athinë, ka qenë një nga temat kryesore të bisedimeve.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME, RMV

“Konsideroj se në kushte të krizës dhe të pandemisë kemi zbatim të kënaqshëm të Planit aksional që del nga Marrëveshja. Pres që në periudhën e ardhshme, posaçërisht me uljen e masave restriktive rreth pandemisë ta përforcojmë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe zbatimin e aktiviteteve nga Plani aksional. Do ta mbështesim plotësisht Komisionin Interdisiplinar për çështje historike, arkeologjike dhe arsimore, Grupin ndërkombëtar të ekspertëve për marka tregëtare si dhe Komisionin për biznes që presim të takohet sa më shpejt që është e mundur.”

Projektet që tashmë kanë filluar, ndërsa pritet të avancohen, sipas Osmanit janë realizim i projekteve infrastrukturore dhe energjetike – ndërtimi i ndërlidhësit për bartje të gazit dhe lidhjes së gazit në mes vendeve, rikonstruim i gazsjellësit ekzistues dhe pjesëmarrje në terminalin e planifikuar për gaz të lëngshëm në Aleksandropolis, por edhe ripërtërirje e lidhjeve hekurudhore dhe rrugore në mes dy vendeve, që nënkuptin edhe hapjen e dy vendkalimeve kufitare, Markova Noga – Lemos dhe Majden – Promahoi. Përveç me Dendias, Osmani në Athinë do të takohet edhe me presidenten Katerina Sakelaropulu dhe kryeministrin Kirjakos Micotakis. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia