close
Top LajmeVendi

OSMANI: NUK JANË NDËRPRERË KOMUNIKIMET ME SOFJEN

6C183B4E-9AB9-4CA3-81B6-94ACA63E4DE0

“VAZHDOJMË TË SHKËMBEJMË IDE KONKRETE RRETH KONTESTIT ME BULLGARINË”


Në tryezën negociuese në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ende vazhdon të ketë  ide, por jo edhe pajtueshmëri konkrete në lidhje më çështjet që i ka ngritur kryesisht Sofja, duke i formuluar si “shkelje e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga pala maqedonase”. Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, thotë se qëllimi kryesor është kthimi i besimit te Marrëveshja, duke shtuar se vetëm disa nuanca i ndajnë historianët e Komisionit të përbashkët për çështjen e figurës dhe veprës së figurave historike, në mesin e të cilave edhe Goce Delçev, i cili pas 120 viteve në vend që të bashkojë është bërë figura ndarëse në mes dy vendeve.

Dhjetë ditë pasi Bullgaria haptazi e pengoi fillimin e planifikuar të negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, në dhjetor të këtij viti, ekipe nga të dyja vendet shkëmbejnë ide për zgjidhjen e pikave kontestuese, por për momentin sipas shefit të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, nuk ka pajtueshmëri konkrete. Në mes temave kontestuese Osmani i ka numëruar: shqtësimin bullgar për pretendime territoriale, pakicat, dinamikën e punës së Komisionit historik, marrëdhëniet ekonomike, infrastrukturën, madhje edhe gjuhën e urrejtjes nga pala maqedonase. Prioritare sipas tij kthimi i besimit te Marrëvshja për fqinjësi të mirë.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Nuk mund të hyj në thelbin e ideve për aq kohë sa janë vetëm ide, sepse në qoftë se nuk janë të pranueshme nuk do të jenë çështje interesi. Megjithatë, ka aktivitet konkret, ka komunikim, edhe i imi personal me Zaharievën në ditët që kanë kaluar, megjithatë edhe në nivele tjera të mundshme dhe vërtetë mendoj se ekziston bazë solide që të mund të gjendet pikë e përbashkët, pajtueshmëri, që të mund të vazhdojë procesi, me kthim të besimit.”

Osmani pohoi se vendet mike të BE-së me shqetësim e shohin këtë zhvillim të raporteve dhe në mënyrat e tyre indirekt përpiqen të ndihmojnë, në interes të procesit të zgjerimit të BE-së, por jo si ndërmjetësues zyrtarë. Në lidhje me tërheqjen e Maqedonisë së Veriut nga pjesëmarrja në ndërtimin e centralit nuklear Belene në Bullgari, sipas tij, këtyre ditëve nuk ka reagim zyrtar nga ana e Sofjes.

BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME

“Qëllimi ynë për kyçje në pjesën e diversifikimit të burimeve të energjisë është diskutuar me të gjithë partnerët dhe në këtë pjesë mendoj se nuk ka ndonjë të papritur në marrëdhëniet tona me Bullgarinë.”

Osmani edhe sot përsëriti se nuk sheh arsye për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja me Bullgarinë fqinje, siç u sugjerua më shumë herë nga ministri i atjeshëm i mbrojtjes Krasimir Karakaçanov, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të asaj që Bullgaria t’i japë dritë jeshile Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave me BE-në. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia