close
Top LajmeVendi

OSMANI: NUK KA MARRËVESHJE TË RE ME BULLGARINË

7FED6C62-BDA4-4074-B904-27DEB3B7A8BE

ZAEV: T’U JAPIM SHANS NEGOCIATAVE 


Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani mohon se gjatë bisedimeve të javës së kaluar me Sofjen, autoritetet bullgare kanë kërkuar nënshkrim të dokumentit të ri me Maqedoninë e Veriut për tejkalimin e dallimeve, i cili përfshin edhe ndryshime kushtetuese. Kryeministri Zoran Zaev kërkon që t’u jepet shans negociatave me fqinjin lindor, një ditë para takimit të rradhës të historianëve nga të dyja vendet, në përpjekje për të gjetur bazë të përbashkët për ngjarjet dhe figurat kontestuese nga e kaluara.

Nuk ka marrëveshje të re, ka intensifikim të komunikimit të ndërsjellë në më shumë nivele. Kështu shefi i diplomacisë Bujar Osmani u përgjigj pas pohimeve nga ana e liderit të opozitares VMRO-DPMNE, se gjatë bisedimeve me autoritetet bullgare  të premten, ka marrë propozim për nënshkrim të marrëveshjes së re, për sqarimin e pikave kontestuese, që nënkupton edhe ndryshime kushtetuese. Osmani përmes rrjetit social Facebook sot bëri thirrje për pjekuri politike që të mos përkeqësohet atmosfera. 

“Vizita në Bullgari ishte pozitive, u hapën të gjitha çështjet, u përforcua komunikimi i ndërsjellë, por më e rëndësishmja, u riafirmuan dëshira dhe interesi i përbashkët për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë e kam theksuar edhe unë publikisht në Sofje, ndërsa e kanë vërtetuar edhe kryeministri Bojko Borisov dhe ministrja e punëve të jashtme, Ekaterina Zaharieva.”  ka shkruar ne fejsbuk ,Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme


Në prag të takimit të nesërm të komisionit maqedonas-bullgar për tejkalim të dallimeve historike në mes dy vendeve, kryeministri Zoran Zaev refuzoi ta komentojë deklaratën e Hristijan Mickoskit, duke shtuar se bëhen përpjekje maksimale për mbrojtje të interesave të të dyja vendeve dhe për arritjen e zgjidhjes për dallimet historike dhe gjuhësore. 

“Mund të gjendet zgjidhje. Vërtetë, kur flisni për diçka, kur është pjesë e çështjeve tashmë të pranuara dhe të harmonizuara, siç është historia e përbashkët, atëherë duhet të jeni të zgjuar ta shfrytëzoni atë miqësi, jo për armiqësi dhe për ndarje. Këtu është thelbi.” tha Kryeministri Zaev


Zaev pranon se pas deklaratës së tij se në qoftë se Bullgaria vazhdon ta mohojë gjuhën maqedonase dhe ta kushtëzojë për përvetësim të një pjese të historisë së përbashkët, ndoshta nuk do të fillojnë negociatat aderuese me BE-në në muajin dhjetor, siç ka planifikuar vendi kryesues Gjermania. Ka pasur reagime në Bruksel. 

“Të gjithë kanë reaguar në mënyrën e duhur, sepse kemi ndërtuar miqësi, ata miq janë të shqetësuar për procesin e suksesshëm, vërtetë jemi shembull i rrallë jashtëzakonisht  pozitiv në të gjitha proceset euro-integruese dhe euro-atlantike, nuk dëshirojnë të ketë pengesa dhe këtu dëshiroj ta ndërpres përgjigjen.” tha Kryeministri Zoran Zaev

 

 

 

Bullgaria me dekada e mohon ekzistimin e identitetit maqedonas para formimit të ish-Jugosllavisë, si dhe veçantitë e gjuhës maqedonase. Formulën “gjuha sipas Kushtetutës së vendit” tani përpiqet ta vë në përdorim edhe në Bashkimin Evropian, duke e kushtëzuar me këtë fillimin e negociatave aderuese të vendit me BE-në, të planifikuara me konferencën e parë ndërqeveritare në muajin dhjetor. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia