close
E40E121E-4B25-4BDA-90F1-9403060AD640

Ministri iJashtëm, Bujar Osmani, në një reagim pas njoftimeve nga Sofja, se Bullgaria duhet të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve bullgarë në Maqedoni, thekson se ‘Maqedonia e Veriut ka një model jashtëzakonisht të suksesshëm të shtetit multietnik’. Në një status në FB, Osmani rekomandon që pretendimet për cënim të të drejtave të jenë më të artikuluara. Ja dhe reagimi i plotë i tij:

‘Në publik janë shfaqur reagime lidhur me statusin dhe të drejtat e komunitetit bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Këto reagime së pari u plasuan si mendime dhe pikëpamje të shoqatave të caktuara qytetare, ndërsa pastaj u theksuan edhe si një problem nga përfaqësues të caktuar zyrtarë të Republikës së Bullgarisë.

Më lejoni të theksoj:

Republika e Maqedonisë së Veriut ka një model jashtëzakonisht të suksesshëm të shtetit multietnik. Përveç të drejtave kolektive të komuniteteve më të mëdha, ekzistojnë mekanizma funksional për mbrojtjen e bashkësive më të vogla etnike. Në këtë kuptim, askush nuk duhet të kufizojë të drejtat e komunitetit bullgar në vend, dhe veçantitë e tyre. Përkundrazi, organizatat qytetare duhet të inkurajohen që të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të përfshihen në të gjithë mekanizmat për realizimin e të drejtave të tyre kolektive.

Përfaqësuesit e këtyre shoqatave, menjëherë duhet t’i kontaktojnë organet e regjistrimit, dhe të kërkojnë një grafë të veçantë brenda regjistrimit, me qëllim të përcaktimit të shpërndarjes kuantitative, demografike dhe gjeografike të këtij komuniteti të veçantë, gjë që do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në formimin e politikave të ardhshme të Qeverisë, të njësive përkatëse të vetëqeverisjes lokale dhe të vendit në përgjithësi,’- ka shkruar ministri Osmani.

Rrjedhimisht, të hënën nga një takim të presidentit bullgar Rumen Radev, më shefat e shërbimeve speciale, u tha se nga Qendra Kulturore ‘Ivan Mihajlov’ në Manastir, por edhe qytetarë të tjerë të Maqedonisë që deklarohen si bullgarë lokalë, kishin marrë ankesa për dukuri të shpeshta të cënimit të të drejtave të tyre vetëm për shkak të faktit se përcaktohen si bullgarë etnikë.

Një një reagim po për këtë, të martën, kryeministri Zoran Zaev dhe Presidenti Stevo Pendarovski, hodhën poshtë pretendimet për shkelje të të drejtave të atyre të cilët e deklarojnë përkatësinë e vet etnike. /KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia