close
Top LajmeVendi

Osmani: Presim nëse do të ketë propozim përfundimtar francez

Screenshot_6-12

“ASKUSH NUK MUND T`IA MOHOJË SHQIPËRISË TË VAZHDOJË RRUGËTIMIM PA RMV-në”

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani theksoi se pas vendimit të marrë në parlamentin bullgar, presidenca franceze e ka pozicionin final të Bullgarisë dhe pozicionin publik të Maqedonisë së Veriut dhe tani mbetet që ata të marrin një vendim final se çfarë propozimi do të shpalosin, pasi sipas tij, propozimi për të cilin është deklaruar dje kryeministri Kovaçevski nuk ishte version i përfunduar. Ai përsëriti se pikat kryesore që e përcaktojnë fatin e një propozimi janë gjuha, historia dhe koha kur do të duhet të bëheshin ndryshimet kushtetuese, raporton KlanMacedonia.

“Nuk e dijmë ende cili është versioni final i cili është aprovuar në Parlamentin bullgar, ne për herë të parë kemi një pozicion final të Bullgarisë dhe kemi një pozicion publik të komunikuar nga Kryeministri Kovaçevski dje nga Brukseli, se tre janë pikat kryesore që për ne e përcaktojnë fatin e një propozimi, ato janë çështja e gjuhës, çështja e historisë si kriter për ecje përpara në procesin e integrimit dhe e treta dinamika e ndryshimeve kushtetuese karshi fillimit të bisedimeve.” – deklaroi Bujar Osmani.

Osmani tha se në këtë pikë askush nuk mund t`ia mohojë Shqipërisë të drejtën që e vetme të vazhdojë rrugën eurointegruese, por megjithatë vlerëson se deri në një fazë të caktuar të procesit të dyja vendet duhet të vazhdojnë rrugën së bashku.

“Ne kemi konstatuar për shkak se fillimi, ose fazat e para të integrimit janë më shumë politike se sa byrokratike dhe teknike dhe nëse jemi bashkë do të japim një element rajonal gjeopolitik të këtij procesi dhe do e ndihmojmë njëra tjetrën, e dini se në 2019-tën ishte po për ne, jo për Shqipërinë, tash është po për Shqipërinë jo për ne. Nëse e shohim vetëm rezultatin e momentit mund të jetë interes afatshkurt. Unë mendoj që deri në një fazë të caktuar të procesit duhet të jemi bashkë, mirëpo askush nuk ja mohon të drejtën Shqipërisë që të vazhdojë të ec në këtë rrugë. Ne jemi faleminderues për pozicionin e Shqipërisë, ka qenë i jashtëzakonshëm. Ju të shkoni kundër interesit tuaj dhe të thoni e presim RMV-në ka qenë e jashtëzakonshme për gjithë këtë proces.” – tha Osmani, minister i jashtem.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut nuk do të ndalojnë përpjekjet e tyre për anëtarësim në BE, por nënvizojnë se nuk do të ketë kompromise me çështjet shtetërore. /KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia