close
Rajoni

Osmani vazhdon aktivitetet në Panama: Po promovojmë potencialin ekonomik të Kosovës

D5E425F1-84B8-42AF-B066-254A103CE55A

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe sot vizitën e saj në Panama, ku ka njoftuar se po promovon potencialin ekonomik të Kosovës dhe po thellon marrëdhëniet miqësore.

Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka takuar udhëheqës të sektorëve të ndryshëm, përfshirën komunitetin e biznesit, por edhe korin diplomatik.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e vizitës zyrtare në Panama ka mbajtur një sërë takimesh me qëllim të promovimit të potencialit ekonomik të Kosovës dhe thellimit të marrëdhënieve miqësore. Kësisoj, Presidentja Osmani ka takuar udhëheqës të sektorëve të ndryshëm, përfshirë komunitetin e biznesit, teksa më pas ka takuar edhe Korin diplomatik”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani ka vizituar gjithashtu qytetin e Kolonit në pjesën atlantike të Panamasë, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të Odës Ekonomike dhe terminalit ndërkombëtar Manzanillo.

“Si një nga zonat më të rëndësishme të lidhshmërisë tregtare botërore, Presidentja ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit ndërshtetëror do t’i mundësojë bizneseve kosovare qasje më të lehtë në Panama dhe në të gjithë rajonin e Amerikës Latine. Në një takim me Kryetarin e Odës Ekonomike të Kolonit, Michael Chen dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit biznesor është konfirmuar gatishmëria e përbashkët që t’i përafrojnë bizneset e të dy shteteve dhe të krijojnë ura të reja të bashkëpunimit dhe komunikimit. Gjatë qëndrimit në Panama, Presidentja ka takuar Jorge Ramón Arosemena, drejtorin e Qytetit të Dijes, i cili nga një bazë ushtarake amerikane është shndërruar në qendër inovacioni, ndërmarrësise, arti e kulture. Presidentja dhe drejtori Arosemena janë dakorduar që të ndërmerren hapat e mëtejmë për ta rritur bashkëpunimin me këtë institucion, përfshirë shkëmbimin arsimor dhe kulturor. Më tej, Presidentja e ka informuar z. Arosemena mbi potencialin e Kosovës si vend lider i ndërmarrësisë, teknologjisë dhe inovacionit në rajon. Gjithashtu, Presidentja ka takuar edhe ambasadorë si dhe deputetë e përfaqësues të tjerë të Panamasë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në kontinentin tonë dhe më gjerë, duke ritheksuar se Kosova mbetet e përkushtuar që të kontribuoj për paqe dhe stabilitet, duke bashkërenduar politikën e jashtme me aleatët e Kosovës. Në bashkëbisedim me diplomatët e akredituar në Panama dhe përfaqësues të tjerë të Panamasë, Presidentja ka nënvizuar progresin e vazhdueshëm të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht në trajektoren e demokracisë, lirive individuale, të medias si dhe përkushtimin për shtetin e së drejtës. Gjatë ditës, Presidentja do ta vizitojë edhe Kanalin e Panamasë, ku do të shoqërohet nga Ministri për Çështje të Kanalit, Roberto Roy, si dhe do të takojë përfaqësues të Odës Ekonomike të Panamasë. Në vizitën zyrtare në Panama, Presidentja ka përmendur potencialin ekonomik dhe frymën e përbashkët demokratike si motivim për të thelluar tutje bashkëpunimin ndërshtetëror”, thuhet në fund.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia