close
Rajoni

PADI NDAJ 9 SERBËVE PËR VRASJEN E RRETH 100 BOSHNJAKËVE GJATË LUFTËS

serbe

Një prokuror boshnjak për krimet e luftës ka ngritur padi për nëntë serbë të Bosnjës për vrasjen e rreth 100 boshnjakëve myslimanë, përfshirë anëtarët e shtatë familjeve, në fillim të luftës së viteve 1992-95, tha zyra e prokurorit në një deklaratë të mërkurën.

Njëzet e gjashtë vjet pas përfundimit të luftës tragjike mes serbëve ortodoksë, kroatëve katolikë dhe boshnjakëve myslimanë gjatë të cilës gjetën vdekjen rreth 100,000 njerëz, Bosnja është ende në kërkim të njerëzve që u zhdukën dhe kërkon drejtësi kundër autorëve.

Ndërkohë, vendi ballkanik po kalon krizën më të keqe politike të pasluftës, ndërsa udhëheqësit serbë të Bosnjës po kërcënojnë se do të tërhiqen nga institucionet e Bosnjës, përfshirë forcat e përbashkëta të armatosura, duke rritur frikën për një konflikt të ri.

Nëntë personat e paditur, ish-anëtarë dhe komandantë të ushtrisë serbe të Bosnjës gjatë kohës së luftës, akuzohen për vrasjen e civilëve boshnjakë nga zona rreth qytetit juglindor të Bosnjës, Nevesinje, përfshirë dhjetëra gra, të moshuar dhe fëmijë të vegjël.

Zyra e prokurorit tha se shtatë familje ishin në mesin e të vrarëve në verën e vitit 1992. Eshtrat e 49 personave janë gjetur ndërsa 47 persona janë ende të pagjetur.

Aktakuza duhet të konfirmohet nga gjykata shtetërore e Bosnjës në mënyrë që të nisë procedimi i çështjes./KlanNews

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia