close
Bota

Pakistan, bie qeveria e kryeministrit Imran Khan

thumbs_b_c_05192faf55cdc72d3c735dea0e7f9307

Parlamenti i Pakistanit shkarkoi kryeministrin Imran Khan në një votim mosbesimi të shtunën vonë, pas një krize politike njëmujore që përfshiu vendin.

Rreth 174 ligjvënës votuan në favor të mocionit të mosbesimit, dy më shumë se 172 të kërkuar për një shumicë të thjeshtë në Asamblenë Kombëtare prej 324 anëtarësh, dhomën e ulët të parlamentit.

Është hera e parë që një kryeministër pakistanez shkarkohet me mocion mosbesimi të paraqitur nga opozita.

Seanca u kryesua nga Ayaz Sadiq, ish-kryetar i dhomës, pasi Asad Kaiser dhe Qasim Suri, kryeparlamentari dhe nënkryetari, dhanë dorëheqjen disa minuta para fillimit të votimit.

Opozita e kombinuar, e udhëhequr nga Partia Popullore e Pakistanit (PPP) dhe Lidhja Muslimane e Pakistanit-Nawaz (PML-N), kishte paraqitur mocionin e mosbesimit më 8 mars.

Khan kishte humbur shumicën e parlamentare pasi deputetë nga partia e tij dhe aleatët kryesorë si Lëvizja Muttahida Qaumi, një parti me qendër në qytetin limanor të Karaçit, u larguan nga koalicioni qeverisës.

Suksesi i votimit së mosbesimit do të thotë se dhoma do të duhet të zgjedhë një kryeministër të ri. Për këtë post opozita ka emëruar Shehbaz Sharif-in, ish-kryeministër i Punjab-it, provincës më të madhe e Pakistanit. Votimi pritet të mbahet të hënën.

Shehbaz, kreu i PML-N-së, uroi të gjithë liderët që ishin pjesë e opozitës së përbashkët dhe u zotua se qeveria e re nuk do të përfshihet në politikë të hakmarrjes.

Bilawal Bhutto Zardari i PPP-së gjithashtu përgëzoi parlamentin për miratimin e rezolutës së mosbesimit.

Kriza politike

Më 3 prill, nënkryetari i parlamentit kishte refuzuar mocionin e mosbesimit kundër kryeministrit, duke thënë se ai ishte paraqitur me urdhër të një fuqie të huaj.

Menjëherë pas vendimit, Khan këshilloi presidentin Arif Alvi të shpërndante Asamblenë Kombëtare dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja.

Por opozita iu drejtua Gjykatës së Lartë kundër vendimit, duke e quajtur jokushtetues.

Pasi dëgjoi argumentet nga të dyja palët për pesë ditë, gjykata anuloi vendimin e nënkryetarit të enjten, riktheu asamblenë dhe bëri thirrje për mbajtjen e votimit të mosbesimit deri të shtunën./Anadolu Agency (AA)

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia