Papa kërkon falje për keqtrajtimet e indigjenëve

Ati i Shenjtë bëri thirrje për një hetim serioz të traumave të shkaktuara ndaj fëmijëve në institucionet arsimore katolike

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250

Papa Françesku kërkoi falje të hënën për rolin e Kishës Katolike në politikën e mëparshme të Kanadasë për ndarjen e fëmijëve indigjenë nga familjet e tyre dhe detyrimin e tyre që të ndjekin shkolla të krishtera, ku shumë prej tyre u abuzuan.

Dhjetëra besimtarë katolikë u grumbulluan pas gardheve jashtë një kishe në Edmonton për të përshëndetur Papa Françeskun, i cili ishte ulur në një karrige me rrota, pas sëmundjes që ai ka në gjurin e tij.

Papa, u gjend përpara 2,000 njerëzve të mbledhur rreth tij në një auditor të hapur, ndërsa të tjerë e ndoqën fjalimin në ekrane të mëdha nga distanca. Ati i Shenjtë bëri thirrje për një hetim serioz të traumave të shkaktuara ndaj fëmijëve indigjenë në institucionet arsimore katolike.

“Pikërisht për shkak të atyre tmerreve doja të bëja këtë pelegrinazh të pendesës, duke kujtuar të keqen e bërë ndaj popujve autoktonë nga shumë të krishterë dhe duke kërkuar, me pikëllim, falje. Më dhemb të mendoj se katolikët kontribuan në politikat e asimilimit dhe heqjes të së drejtës që nxisin një ndjenjë inferioriteti, duke grabitur komunitetet dhe individët nga identiteti i tyre kulturor dhe shpirtëror, duke u prerë rrënjët dhe duke nxitur qëndrime paragjykuese dhe diskriminuese. Dhe se kjo u bë gjithashtu në emër të një sistemi arsimor që supozohej se ishte i krishterë”.

Ai u shoqërua nga udhëheqësit indigjenë në një ceremoni të mbushur me simbolika për mijëra të mbijetuarit e shkollave rezidenciale, të cilët u ulën në heshtje, ndërsa Françesku tha se i vinte thellësisht keq për rolin e kishës katolike në sistemin abuziv të shkollave rezidenciale të Kanadasë.

Disa prej të mbijetuarëve e shkollës rezidenciale, u shprehën se kanë pritur rreth 50 vjet për këtë falje. Papa 85-vjeçar u kishte premtuar një turne të tillë delegacioneve indigjene që e vizituan atë në fillim të këtij viti në Vatikan, ku ai kërkoi një falje fillestare.

Midis 1881 dhe 1996 më shumë se 150,000 fëmijë indigjenë u ndanë nga familjet e tyre dhe u sollën në shkolla rezidenciale. Shumë fëmijë vuajtën nga uria, u keqtrajtuan sepse flisnin gjuhën e tyre amtare dhe u abuzuan seksualisht në një sistem që Komisioni i të Vërtetës dhe Pajtimit të Kanadasë e quajti gjenocid kulturor.

Shumica e shkollave drejtoheshin nga qeveria nën urdhrat fetarë katolike romake të priftërinjve dhe murgeshave. Vitin e kaluar u zbuluan eshtrat e 215 fëmijëve në një ish-shkollë rezidenciale në British Columbia. Që atëherë, eshtrat e qindra fëmijëve të tjerë janë zbuluar në ish-shkolla të tjera rezidenciale anembanë vendit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share