close
Të ndryshmeTop LajmeVendi

PARTITË SHQIPTARE JANË PËR SHFUQIZIMIN E QEVERISË TEKNIKE

Screenshot_10

NUHIU: QEVERIA TEKNIKE NUK KA LIDHJE ME KRYEMINISTRIN SHQIPTAR


Partitë politike shqiptare janë shprehur pro shfuqizimit të qeverisë teknike. Megjithatë, ata kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përmbajtjes së iniciativës së VMRO-DPMNE-së, që mes tjerash ka të bëjë edhe me këtë çështje.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi, gjatë emisionit Klan Debat, tha se qeveria teknike nuk është në favor të opozitës shqiptare, pasi ajo nuk ka pasur asnjë post relevant, përmes së cilit do të mbrojë veten nga manipulimet zgjedhore.

SYRJA RASHIDI, DEPUTET I ASH-së

“Kjo qeveri teknike ka qenë mjaftueshëm teknike për bllokun politik maqedonas, por nuk ka qenë aspak teknike dhe ka qenë shumë politike për bllokun politik shqiptar. Dhe në këtë drejtim, ne si opozitë shqiptare nuk do të kemi kurrfarë nostalgjie për ta ruajtur një qeveri teknike të këtillë”.

Agim Nuhiu nga BDI tha se, mbështesin çdo iniciativë që ka të bëjë me shfuqizimin e qeverisë teknike, pasi ajo nuk është e nevojshme. Ai po ashtu ka thënë se, qeveria teknike nuk ka lidhje me kryeministrin shqiptar.

AGIM NUHIU, BDI  

“Dua të them për opinionin që nuk ka lidhje, nuk ka pika lidhje qeveria teknike e Përzhinos me kryeministrin shqiptar. Çështja e kryeministrit shqiptar është mision i Bashkimit Demokratik për Integrim”.

Ndërkohë, Lulzim Aliu nga Alternativa tha se, Marrëveshja e Përzhinës është e papranueshme për to, por u shpreh i rezervuar sa i përket iniciativës së VMRO – DPMNE-së. Ai tha se kur të vijë në Kuvend do ta shqyrtojnë dhe do të japin qëndrim.

LULZIM ALIU, ALTERNATIVA

“Ne apriori nuk mund ta pranojmë nismën e VMRO-së, për shkak se ato kërkojnë edhe zgjedhje të parakohshme. Në qoftë se e shihni nismën, ata kërkojnë Marrëveshja e Përzhinos të tërhiqet dhe të ketë zgjedhje të parakohshme”.

Ndërkohë, Lëvizja Besa përpos që e përkrah shfuqizimin e qeverisë teknike, janë edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

BLERIM SEJDIU, LËVIZJA BESA

“Si Lëvizje Besa jemi për shfuqizimin e Qeverisë teknike dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme sa më herët që është e mundshme, për arsye se kjo qeveri nuk është qeveri e re, kjo qeveri po i numëruat janë më shumë ministra të vjetër se sa të rinj”.

Partia opozitare maqedonase, VMRO – DPMNE ka dorëzuar dje në Kuvend iniciativë për shfuqizimin e qeverisë teknike dhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia