close
Top LajmeVendi

PARTNERËT E KOALICIONIT DISTANCOHEN NGA SLAVI TRIFONOV

Screenshot_14

TEMA “MAQEDONIA E VERIUT” KA KRIJUAR PËRPLASJE NË QEVERINË E RE NË SOFJE


Tri partitë e koalicionit katëranëtarësh qeveritar në Bullgarinë  fqinje u distancuan nga qëndrimet e Slavi Trifonov, lider i partisë “Ka një popull të tillë”, i cili u ka vendosur kusht SHBA-ve dhe BE-së në mënyrë që Bullgaria t’i zhbllokojë negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut. Partitë “Vazhdojmë me ndryshimet”, Partia Socialiste Bullgare dhe “Bullgaria demokratike” kategorikisht janë distancuar nga pozicioni i Trifonov, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është temë shumë e rëndësishme dhe është i nevojshëm raport serioz, përcjellin mediat bullgare.

 

Marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe mënyra e zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë kanë krijuar “përplasje” në koalicionin e sapoformuar qeveritar në Bullgari. Tri parti nga koalicioni katëranëtarësh janë distancuar nga qëndrimet e Slavi Trifonov, i cili në rrjetet sociale u ka vendosur kusht SHBA-ve dhe BE-së, në mënyrë që Sofja t’i zhbllokojë negociatat aderuese të Maqedonisë së Veriut me Brukselin raporton KlanM.

SLAVI TRIFONOV – “KA NJË POPULL TË TILLË”

“Duke qenë se amerikanët aq shumë e dëshirojnë Maqedoninë e Veriut në BE, qytetarët e Bullgarisë, si qytetarët nga shumica e vendeve të BE-së, le të mos kenë nevojë për vizë që të mund të shkojnë në Amerikë. Dhe e dyta, duke qenë se jemi anëtare me të drejta të plota në BE, Bullgaria menjëherë duhet të jenë anëtare e zonës së Shengenit. Aman nga pritja.”

Zona Shengen dhe Maqedonia e Veriut janë dy tema të ndryshme, çështjet në politikën ndërkombëtare nuk duhet të lidhen në këtë mënyrë, reagoi kryetari i partisë “Vazhdojmë me ndryshimet”, Andrej Gjurov.

ANDREJ GJUROV – “VAZHDOJMË ME NDRYSHIMET”

“Ne kemi strategji si të udhëhiqen negociatat, në nivel shumë më intensiv, në bazë më të gjërë, jo vetëm në drejtim të së kaluarës historike. Me qëllim që në këtë mënyrë të ndihmojnë të afrohen pozicionet tona duke e ruajtur Marrëevshjen për fqinjësi të mirë.”

Udhëheqës i lartë në partinë “Bullgaria demokratike” komentet e Trifonov i ka vlerësuar si ironi, duke shtuar se partia e tij nuk e mbështet.

ATANAS ATANASOV – “BULLGARIA DEMOKRATIKE”

“Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është temë e rëndësishme, duhet të sillemi seriozisht dhe t’i mbrojmë interesat tona kombëtare.”

Qëndrim të ngjajshëm ka edhe Zv/Kryetari i Kuvendit Popullor në Sofje, Kristian Vigenin, i cili thotë se tema për Maqedoninë e Veriut është një nga sfidat më të mëdha për Bullgarinë dhe për këtë arsye “parapëlqen që deklaratat e improvizuara dhe të parakohshme të jenë në minimum” raporton KlanM. Në prag të ripërtërirjes së negociatave, në mes Kryeministrave dhe Qeverive të reja në Sofje dhe në Shkup, angazhime për zhbllokim të shpejtë të negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërise me BE-në, në më shumë drejtime kanë shprehur përfaqësues të BE-së, por edhe të Shteteve të Bashkuara.

/KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia