close
Top LajmeVendi

PENDAROVSKI: DO TË JEM PRESIDENT I TË GJITHËVE

stevo-4-696×464

Inaugurimi në kuvend, pranim-dorëzimi në vilën presidenciale


Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski bëri betimin në Parlament kurse në Vilën Presidenciale në Vodno, mori postin e shefit të ri të shtetit. Pendarovski gjatë fjalimit në Kuvend tha se ndjehet krenar që zgjedhjet prej ku ka dalë president kanë qenë të pranuara nga të gjithë dhe kanë qenë tejet demokratike dhe të drejta. Inaugurimin e tij e ndoqën edhe presidentë shtetesh nga rajoni.

Seancën e inaugurimit të Presidentit të ri Stevo Pendarovski, konform ligjit, Kryeparlamentari Talat Xhaferi e zhvilloi në gjuhën shqipe… Më pas Presidenti i ri dha betimin solemn… në vazhdim nënshkroi deklaratën solemne…

Në fjalimin e tij drejtuar kombit Pendarovski para të pranishmëve në seancën solemne të inaugurimit, ka theksuar se do t`i respektojë të gjithë qytetarët e vendit, dhe se do të jetë president i të gjithëve.

“Si president do të angazhohem në përpjekjet diplomatike për përfundimin e procesit të anëtarësimit tonë fuqiplotë në NATO dhe negociatave për anëtarësim në BE, ku do të insistoj të kyçen mendjet më të ndritura që i ka ky vend, pavarësisht nëse vijnë nga opozita, Organizatat joqeveritare, apo nga radhët e ekspertëve të pavarur”tha Stevo Pendarovski – President i RMV-së.

Pendarovski në fjalimin e tij ka theksuar se vendi ka dy prioritete; rritja ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për përgjigje të suksesshme ndaj këtyre dy sfidave edhe pushteti, edhe opozita dhe sektori i biznesit duhet të punojnë së bashku sepse nuk ka prosperitet, nëse më të mirët e gjeneratës dëshirojnë të punojnë kryesisht në administratën shtetërore ose largohen nga këtu, përderisa në sektorin privat mungojnë kuadrot e kualifikuar.” –deklaroi Stevo Pendarovski – President i RMV-së.

Marrëdhëniet e mira me pesë fqinjët dhe bashkëpunimi produktiv rajonal, për Presidentin e ri Stevo Pendarovski janë një parakusht thelbësor për zhvillimin e një vendi me shtrirje specifike gjeografike.

“Marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Greqinë, janë një shembull i mirë se si me guxim politik dhe lënien pasdore të stereotipeve historike është e mundshme të mbrohen interesat kombëtare, por njëkohësisht të promovohen edhe interesat strategjike të vendit.” shprehet Stevo Pendarovski – President i RMV-së.

Ndërkaq, në vilën presidenciale në Shkup, me nderime të larta ushtarake dhe shtetërore u mbajt edhe ceremonia zyrtare e pranim-dorëzimit të funksionit shef i shtetit…

President i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ai i Bullgarisë Rumen Radev, Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ishin prezent në inaugurimin e presidentit të pestë të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ceremonia u mbajt në Kuvend ku kishte dhe personalitete të tjera të shumta nga rajoni dhe vendi, dhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të trupit diplomatik.  /Klan Maqedoni/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia