close
Bota

Përkeqësohet shëndeti i palestinezit i cili prej 63 ditësh është në grevë urie në burgun izraelit

thumbs_b_c_3280a2d35197fcffa186ca181e10ce77

Pavarësisht gjendjes kritike shëndetësore të Avavdes, autoritetet izraelite kanë vazhduar të refuzojnë kërkesën për t’i dhënë fund ndalimit administrativ të tij, tha Klubi i të Burgosurve Palestinezë

Gjendja shëndetësore e të burgosurit palestinez Halil Avavde (40), i cili prej më shumë se dy muajsh është në grevë urie për të protestuar ndaj ndalimit administrativ në burgjet izraelite, është alarmante, njoftoi një organizatë joqeveritare e të burgosurve.

Klubi i të Burgosurve Palestinezë tha në një deklaratë me shkrim se Avavde është në grevë urie prej 63 ditësh.

Në deklaratë theksohet se Avavde po përballet me probleme të rënda shëndetësore dhe se palestinezi është transferuar nga burgu Remle në spitalin izraelit Assaf Harofeh disa ditë më parë.

Në deklaratë thuhet se pavarësisht gjendjes kritike shëndetësore të Avavdes, autoritetet izraelite kanë vazhduar të refuzojnë kërkesën për t’i dhënë fund ndalimit administrativ të tij.

Klubi i të Burgosurve Palestinezë deklaroi gjithashtu se është përkeqësuar po ashtu gjendja shëndetësore e një të burgosuri palestinez të quajtur Raid Reyyan (27), i cili prej 28 ditësh është në grevë urie për të protestuar kundër ndalimit administrativ.

Avavde, i cili është ndaluar disa herë, së fundmi më 27 dhjetor 2021, po proteston kundër vendimit të ndalimit administrativ gjashtëmujor.

Të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite

Sipas burimeve palestineze, në burgjet izraelite ndodhen rreth 4.500 palestinezë.

Me masën e quajtur “ndalim administrativ”, Izraeli mund të mbajë palestinezët nga një deri në gjashtë muaj bazuar në informacione të inteligjencës.

Gjyqtari ushtarak mund ta zgjasë periudhën e ndalimit deri në pesë vjet nëse vendoset se i arrestuari “përbën rrezik për sigurinë e Izraelit”, madje pa lëshuar kallëzim penal./AA

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia