close
Rajoni

PODGORICË: GJUKANOVIQ AKUZON KISHËN SERBE DHE RUSINË

no thumb

 

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka akuzuar qarqet serbomëdha, Kishën Ortodokse Serbe dhe Rusinë se mbështesin protestat antiqeveritare në vendin e tij. Gjukanoviq i ka thënë Televizionit Shtetëror se qëllimi i protestave në Podgoricë është pengimi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Arkitekti i shtetit të ri të pavarur malazez, Milo Gjukanoviq, tha se protestat antiqeveritare shumëditore të opozitës, kanë për qëlllim ndryshimin me forcë të rendit kushtetues dhe në këtë mënyrë, është shprehur ai, të realizojnë atë që  nuk ia kanë dalë ta bëjnë përmes zgjedhjeve demokratike gjatë çerekshekullit të fundit. Kryeministri Gjukanoviq, me këtë rast ka thënë se protestat e opozitës gëzojnë mbështetjen e qarqeve serbomëdha dhe të Kishës Ortodokse Serbe, por jo edhe të Beogradit zyrtar.

“Po shohim sot se organizatorët e protestës i mbështesin fuqimisht po ata qarqe të njëjta serbomëdha nga Beogradi. Pra, dallimi që duhet bërë tani është se, nuk është i vogël. Duhet theksuar, se në këtë moment protestat e tilla dhe sulmet e tilla kundër sovranitetit të Malit të Zi, nuk i mbështet politika zyrtare e Serbisë. Por po ato qarqe serbomëdha, pra të tubuara rreth strukturave të caktuara politike, të tubuara rreth, të them, qendrave të caktuara shoqërore të influencës, si Kisha Ortodokse Serbe, pra të gjitha ato strukturat të cilat dikur ishin kundër pavarësisë së Malit të Zi, edhe sot shumë fuqimisht, shumë hapur, mbështesin protestat në Mal të Zi. Me qëllim të ndërrimit të këtij pushteti, të rishikimit të statusit shtetëroro-juridik të Malit të Zi dhe që, nëse është e mundshme, Mali i Zi të kthehet në sferën e interesave dhe në sferën e ndikimeve të drejtimit të këtyre qarqeve serbomëdha nga Beogradi.” – thotë Milo Gjukanoviq – Kryeministër i Malit të Zi.

Kryeministri malazez, gjithashtu, në interevistën dhënë Televizionit Shtetëror, ka vlerësuar se protestat e opozitës proserbe në Podgoricë mbështeten edhe nga Moska zyrtare. Në favor të kësaj ai ka rikujtuar dy njoftime të Ministrisë së Jashtme të Rusisë – se politika ruse është në anën e organizatorëve të protestave:

“Pra, përmes atyre që janë qëllime të tyre politike, qëllime të tyre të proklamuara politike, kanë identifikuar edhe qëllimet e tyre, e ky është pengimi i Malit të Zi në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe me vetë këtë pengimi i procesit të zgjerimit të NATO-s në Ballkan që është, po them, qëllimi zyrtar i politikës shtetërore ruse dhe prandaj, sot pa dyshim duhet të konkludojmë se organizatorët e protestave në Mal të Zi kanë baza shumë të fuqishme edhe nëpër qendra të caktuara të politikës, edhe nëpër qendra të caktuara ekonomike, të sigurisë dhe në të gjitha qendrat tjera jashtë Malit të Zi.” – deklaron Gjukanoviq.

Me këtë rast ambasadori i porsaemëruar i Sllovenisë në NATO, politikani i njohur Jelko Kacin, ka deklaruar se protestat opozitare të të ashtuquajturit Front Demokratik në Podgoricë nuk mund të  ndikojnë në rrugën e Malit të Zi për në NATO dhe këtë nuk mund ta pengojë as Rusia: ‘ Rusia nuk është anëtare e NATO-s, as Mali i Zi është ish-anëtar i Bashkimit Sovjektik dhe as që ka qenë’- ka komentuar Kacin për median malazeze duke  thënë se përcaktimi për në NATO ka mbështetjen e qartë politike të Parlamentit, por edhe të shumicës së qytetarëve të Malit të Zi. /Tv Art/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia