close
Rajoni

PODGORICË: THELLOHEN NDASITË RRETH MANIFESTIMIT NË CETINJË

C3FEC426-E6AA-42AC-92BA-39BBEA20507B

MALAZEZËT KUNDËRSHTOJNË SHUGURIMIN E MITROPOLITIT SERB


Situatë e tensionuar në Mal të Zi, dy ditë para shugurimit të kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe në këtë vend. Këshili i Sigurisë Kombëtare, i thirrur nga kryeministri, Zdravko Krivokapiq, po diskuton gjendjen e rënduar në qytetin e Cetinjës ku më pesë shtator duhet të zhvillohet ceremonia e inaugurimit, ndërkohë që kundërshtarët e  mbajtjes së manifestimit në manastirin historik të këtij qyteti, që gëzojnë edhe mbështetjen e Presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, partisë së tij që nuk është në qeveri dhe forcave të tjera opozitare, kanë paralajmëruar se nuk do ta lejojnë atë. Një zëdhënëse e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez u ka bërë thirrje partive politike  për dialog me qëllim të kapërcimit të ndasive, dialog ky që cilësohet si vendimtar për ruajtjen e qëndrueshmërisë së vendit dhe përparimin e tij drejt Bashkimit Evropian.

‘Thyerje e kamerave mbikqyrëse në Cetinjë, incident ndërmjet klerikëve dhe ekipit të gazetarëve të Televizionit të Malit të Zi në manastirin e Cetinjës, performansë para manastirit kundër mitropolitit Joanikije, konflikt ndërmjet këshilltarëve të parlamentit të Cetinjës dhe një grupi të rinjsh – janë ngjarje që tensionojnë atmosferën në prag të inaugurimit të mëkëmbësit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi’.

Kështu nis kronika e Radi Evropës së Lirë në serbisht për polarizimin e skajshëm serbo-malazez rreth një ngjarjeje që në fakt reflekton përplasjen më të fuqishme ndërmjet serbëve të prirë nga Kisha Ortodokse Serbe, Beogradi dhe pjesa më e madhe e Qeverisë në Podgoricë e dominuar nga serbët, nga njëra anë, dhe frontit opozitar kombëtar malazez që gëzon mbështetjen e Presidentit Milo Gjukanoviq, partia e të cilit para një viti pësoi humbjen e parë nga pavarësia e kësaj republike ish-jugosllve dhe shkëputja nga Serbia, më 2006. Në prag të mbajtjes së ceremonisë së shugurimit të kreut të ri të   Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, në manastirin e Cetinjës që çmohet si themeli shpirtëror i shtetit malazez, raportet nga ky qytet flasin për një atmsoferë goxha të ndezur: Në këtë qytet është mbyllur hoteli kryesor, ka pasur njoftime se edhe pacintëve në spitalin e qytetit  iu rekomandohet të kërkojnë shpëtimin tjetër kund, bëhet thirrje që fëmijët të rrijnë nëpër shtëpitë e veta. Përkundër apeleve që iaugurimi të bëhet në ndonjë lokalitet tjetër, Kisha Ortodokse Serbe e ka refuzuar këtë, ndërsa media, këtë të premte, citon kreun e ri të saj në Mal të Zi, Joanikije të ketë thënë se, pavarësisht kundërshtive, ai do të mbahet, ç’është e vërteta me praninë e reduktuar të të ftuarëve dhe qytetarëve./Klan Macedonia/ 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia