close
Vendi

POLICIA DHE USHTRIA DO T’I SIGUROJNË SPITALET COVID

AA7254CC-0E39-4CA6-9924-7A1E4DCFCA2A

ANGAZHOHEN 150 POLICË DHE 300 PJESËTARË TË ARMV-së


Rreth 150 policë dhe deri 300 ushtarë së bashku do të marrin pjesë në sigurimin e spitaleve dhe qendrave Covid në Maqedoninë e Veriut, në qoftë se këtë e kërkon Ministria e shëndëtësisë. Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Stojançe Angelov, thotë se deri më tani ka pasur incidente sporadike nga familjarë të pakënaqur të të sëmurëve ose personave të vdekur dhe se ky plan për siguri policore-ushtarake është preventiv, për shkak të punës pa pengesa të mjekëve.

Aty ku do të vlerësohet se ka nevojë, para spitaleve, qendrave Covid dhe objekteve të tjera, do të dërgohen policë dhe ushtarë të paarmatosur si sigurim jo vetëm i objektit, por edhe i punës së papenguar të personelit mjekësor. Numri i plotë është deri 450, prej të cilëve 150 janë policë, ndërsa 300 ushtarë.

STOJANÇE ANGELOV, QENDRA PËR MENAXHIM ME KRIZA

“Në këtë moment gjendja është plotësisht nën kontroll në aspekt të sigurimit, incidentet që ndodhin janë të izoluara dhe të rralla, ne nuk e dërgojmë ushtrinë sepse qytetarët krijojnë parregullësi para spitaleve, por në mënyrë preventive që ta mbajnë rendin dhe që punëtorët shëndetësorë ta kryejnë punën e tyre pa pengesa.”

Angelovi i përmendi edhe incidentet kur familjarë të të sëmurëve ose të vdekurve nga Covid, në mënyrë agresive zemërimin e tyre e kanë drejtuar te mjekët dhe personeli mjekësor, megjithatë vlerëson se kjo nuk është situatë alarmante. Këtë vit sipas të dhënave të MPB-së, është rritur dyfish numri i sulmeve ndaj punëtorëve shëndetësorë, në krahasim me vitin e kaluar, por pjesa më e madhe janë sanksionuar me kallëzime për shkelje, një pjesë e vogël me kallëzime penale. Sulme  ndaj mjekëve janë denoncuar edhe në spitalin në Tetovë, në Ndihmën e Shpejtë në Kumanovë, në spitalin “8 Shtatori”  dhe në institucione të tjera. Plani aksional në Qendrën për menaxhim me kriza i cili përmban më shumë detaje për menaxhimin e krizës korona në periudhën që vjen, pritet që sot të miratohet nga ana e Qeverisë dhe më pas për zyrtarizimin e tij do të duhet të marrë nënshkrim edhe nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia