close
Bota

POLONIA THELLON PËRPLASJEN ME BE-në

pol

GJYKATA KUSHTETUESE VENDOSI SE LIGJET E BE-së NUK KANË EPËRSI

Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi se disa nga ligjet e Bashkimit Evropian janë në përplasje me kushtetutën e vendit  dhe nuk mund të kenë autoritet suprem. Kjo është shkelje e njërit prej parimeve bazë të BE-së, që është në fuqi pothuajse gjashtë dekada dhe për këtë arsye Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lejen ka kërkuar “analizë të shpejtë dhe vendim për hapat e rradhës”. Brukseli ka kohë që është në mosmarrëveshje me autoritetet polake rreth kompetencave në sistemin gjyqësor, për të cilën arsye tashme janë kërkuar edhe sanksione për Varshavën.

 

Në vendimin që shkaktoi hidhërim në Bruksel dhe pritet që ëdhe më shumë t’i çojë pas marrëdhëniet problematike të Polonisë me Bashkimin Evropian, Gjykata Kushtetuese vendosi se disa nga dispozitat e marrëveshjeve të BE-së dhe disa nga vendimet e gjykatave evropiane janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Shumica e gjykatësve thanë se anëtarësimi i Polonisë në BE nuk i bën gjykatat e BE-së të kenë autoritet më të madh ligjor, përkatësisht nuk do të thotë se Polonia me anëtarësimin në BE ia ka doërëzuar sovranitetin e saj Brukselit. Gjykatësit kushtetues në Varshavë shtojnë se asnjë organ shtetëror në Poloni nuk do të pajtohet me kufizimin e kompetencave që vinë nga jashtë.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lejen, në reagimin e parë ka shprehur “shqetësim të madh”, duke kërkuar nga ekipi i saj analizë të detajuar dhe udhëzime për hapa të mëtejshëm.

 

 

URSULA FON DER LEJEN, KE

“Prioriteti ynë është që të sigurojmë se janë të mbrojtura të drejtat e qytetarëve polakë dhe se ata mund të përfitojnë nga anëtarësimi në BE, në mënyrë të barabartë si gjithë të tjerët në organizatë. Qytetarët evropianë dhe kompanitë evropiane që punojnë në Poloni kanë nevojë për siguri se rregullat e BE-së, si dhe ato të Gjykatës Evropiane të drejtësisë, zbatohen plotësisht në Poloni.”

Profesori i të drejtës evropiane sugjeron tërheqje të parave për Poloninë si përgjigje ndaj vendimit.

ALBERTO ALEMANO, PROFESOR

“Gjykata Kushtetuese në Poloni është e përbërë nga gjykatës të emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa pasojat e këtij vendimi janë të shumëfishta. Vjen në moment kur ka shumë lëndë gjyqësore që presin vendim, ndërsa lidhen me marrëdhëniet në mes Polonisë dhe BE-së. BE-ja duhet kësaj t’i përgjigjet me tërheqje të mëtejshme të financave të parashikuara për Poloninë.”

Epërsia e ligjeve të BE-së  është një nga parimet kryesore të BE-së, të themeluara që në vitin 1964. Qeveria e djathtë në Poloni prej kohësh është në përplasje me Brukselin pikërisht për shkak të përpjekjeve për ndikim më të madh në sistemin gjyqësor në vend. Deri më tani nuk mbahet mend vend anëtar kaq haptazi ta kundërshtojë një nga themelet e bllokut dhe për këtë arsye BE-ja i ka bërë thirrje Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të vendosë sanksione për Varshavën./KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia